“Marshimi i Grave” dhe mesazhi i lëvizjes

Mijëra gra pritet të marshojnë në disa qytete amerikane të shtunën, për të katërtin vit me radhë, në mbrojtje të një sërë çështjesh, përfshirë barazinë gjinore dhe të drejtat e grave. Në dhjetëra qytete janë planifikuar tubime, përfshirë Uashingtonin, ku marshimi i parë i grave në 2017-n tërhoqi me qindra mijëra persona vetëm një ditë pas betimit të Presidentit Donald Trump. Marshimi ka përfshirë një mesazh politik që kur nisi në vitin 2017, kur shumë prej pjesëmarrësve mbanin kapele rozë të thurura që janë kthyer në simbol të ndjenjave të grave kundër presidentit Trump.

Pas 2017-s politika vazhdoi të jetë një temë e fortë e “Marshimit të Grave” përfshirë edhe 2018-n kur organizatorët e zhvendosën marshimin në Nevada, një shtet fushë-beteje për zgjedhjet për Kongresin që u mbajtën po atë vit si dhe në 2019-n kur marshimi u kthye në Uashington. Disa nga kandidatët demokratë për president në vitin 2020 planifikojnë të marrin pjesë këtë vit në Marshimin e Grave në qytete të ndryshme të vendit.

Që nga marshimi i parë, organizimi është përballur me polemika, që kanë përfshirë edhe drejtuesit e tij duke i vënë përballë akuzave për anti-semitizëm. Organizatorët i kanë mohuar vazhdimisht pretendimet. Tre nga katër bashkëdrejtuesit kryesorë të organizatës janë larguar nga grupi dhe organizata ka caktuar një bord të ri që përfshin tre gra hebreje.

SHKARKO APP