Masakra me 12 të vdekur në Australi, pamjet shokuese nga vendngjarja
Një ngjarje e rëndë ka tronditur Australinë, pasi të paktën 12 persona humbën jetën dhe 29 të tjerë mbetën të plagosur gjatë një sulmi të armatosur në plazhin Bondi, në Sydney. Sulmi ndodhi gjatë zhvillimit të një feste fetare të komunitetit hebre, duke shkaktuar panik dhe kaos mes qytetarëve të pranishëm.
Sipas mediave australiane, të shtënat nisën pranë parkingut në zonën Campbell Parade, ku një nga personat e dyshuar hapi zjarr ndaj turmës. Në pamjet e publikuara nga vendngjarja, shihen qytetarë që përpiqen të largohen me shpejtësi, ndërsa disa të tjerë kërkojnë strehë pas automjeteve të parkuara.
Raportohet se, në një moment kritik, një qytetar civil ka ndërhyrë për të neutralizuar sulmuesin. Burri, i veshur me pantallona të zeza dhe këmishë të bardhë, ka përdorur automjetet e parkuara si mbulesë, duke iu afruar me kujdes autorit të dyshuar, ndërsa të shtënat vazhdonin.
Kur iu afrua në një distancë të shkurtër, ai u sul drejt personit të armatosur, e rrëzoi përtokë dhe u përfshi në një përleshje fizike, duke arritur t’i rrëmbente armën dhe ta neutralizonte. Më pas, duke e mbajtur nën kontroll, e detyroi të tërhiqej drejt një ure fqinje, ku sipas dyshimeve mund të ndodhej një bashkëpunëtor i dytë.
Forcat e policisë ndërhynë menjëherë në zonë, duke neutralizuar situatën dhe duke rrethuar vendngjarjen. Autoritetet australiane kanë nisur një hetim të thelluar për të zbardhur plotësisht rrethanat e sulmit, motivet e tij dhe për të verifikuar nëse ka persona të tjerë të përfshirë.
Ngjarja ka shkaktuar reagime të shumta ndërkombëtare, ndërsa autoritetet kanë rritur masat e sigurisë në zona publike dhe pranë objekteve fetare.
KOHA JONË SONDAZH

