Masakra me 22 të vrarë, Kanadaja merr vendimin e ashpër për armët
Kanadaja ka njoftuar ndalimin e zotërimit të armëve pas masakrës me 22 të vrarë javës e kaluar, më e rënda në historinë e vendit. Rregullat e reja do ta bëjnë të paligjshme shitjen, transportin, importimin ose përdorimin e 1.500 llojeve të armëve.
Ndryshe nga SHBA, pronësia e armëve nuk është e parashikuar në Kushtetutën e Kanadasë, por pronësia e armëve është akoma e popullarizuar, veçanërisht në pjesët rurale të vendit.
Kryeministri Justin Trudeau deklaroi sot: “Këto armë janë krijuar për një qëllim të vetëm, të vrasin sa më shumë njerëz, në një kohë sa më të shkurtër të mundshme. Në Kanada nuk ka më vend dhe përdorim për armë të tilla. Nuk është më e lejuar të blihen, shiten, importohen apo përdoren armë ushtarake në këtë vend”.
Pas sulmit makabër në rajonin Nova Scotia, Trudeau tha se qeveria e tij do të punojë për kufizimin e armëve, dhe se plani ishte shtyrë fillimisht prej epidemisë së koronavirusit.
Në fillim të javës policia në Nova Scotia tha se sulmuesi Gabriel Ëortman, ishte armatosur me dy automatikë dhe disa pistoleta automatike. Gjatë 14 orëve ai vrau 22 njerëz të pafajshëm në një komunitet te vogël.
Po ashtu, kryeminsitri shtoi se do të nisë menjëherë një periudhë dy-vjeçare amnstie për të lejuar zotëruesit e armëve të përshtateshin me ligjin e ri.