Masakra në Gaza, Izraeli dhe Palestina përplasen ashpër në mbledhjen e OKB
Rreth 58 palestinezë u vranë dje në Gaza nga trupat izraelite teksa protestonin kundër zhvendosjes së ambasadës së SHBA-ve nga Tel-Avivi në Jeruzalem. E teksa dje në prezencën e Ivanka Trump u bë inaugurimi i ambasadës, sot në Gaza u mbajt funerali për dhjetëra të vdekur, mes tyre një foshnjë.
“Dhuna e Gazës” ka zbarkuar sot në OKB, ku në një mbledhje urgjente ka pasur tension dhe debate të ashpra ndërmjet të dërguarit izraelit dhe atij palestinez.
I dërguari palestinez foli për një “krim kundër njerëzimit”, ndërsa Izraeli akuzoi krerët e Gazës, Hamasin, se kanë marrë peng shtetasit e tyre.
Takimi i jashtëzakonshëm i Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara filloi me fjalën e ambasadores së Polonisë, Joanna Ëronecka, e cila bëri thirrje për një minutë heshtje për ata që u vranë në Gaza të hënën, së bashku me “të tjerët që kanë vdekur si rezultat i një konflikti që zgjat prej kohësh” .
Pasi një numër kombesh shprehën shqetësim për dhunën dhe disa kërkuan një hetim, të dërguarit palestinezë dhe izraelitë u angazhuan në një shkëmbim të ashpër.
I dërguari palestinez në OKB Riyad Mansour tha: “Ne dënojmë në terma më të theksuar masakrën e urryer të kryer nga Izraeli në Rripin e Gazës”.
Ai bëri thirrje për një ndalim të operacioneve ushtarake të Izraelit dhe një hetim transparent ndërkombëtar për atë që ai tha se ishte një “sulm brutal izraelit ndaj popullit palestinez që shprehu rezistencën e vetë”.
Ai tha se ishte “një krim lufte, një krim kundër njerëzimit”. Mansour kritikoi OKB-në për mos ndjekjen e hetimeve në të kaluarën, duke thënë: “Sa palestinezë duhet të vdesin para se të veproni? A meritonin të vdisnin? A meritojnë fëmijët të largohen nga prindërit e tyre?”
Danny Danon, i dërguari izraelit në OKB, tha se ngjarjet në kufi “nuk ishin demonstrata, nuk ishin protesta, këto ishin trazira të dhunshme”.
Ai tha se Hamasi kishte “marrë popullin e Gazës peng”.
“Ata nxisin njerëzit për dhunë, vendosin sa më shumë civilë që të jetë e mundur në vijën e zjarrit për të maksimizuar viktimat civile, atëherë ata fajësojnë Izraelin dhe vijnë në OKB për t’u ankuar. Është një lojë vdekjeprurëse që ata luajnë në kurriz të fëmijëve të pafajshëm”.
Ai shtoi: “Kur themi ditë e zemërimit ata janë dita e terrorizmit, e drejta e kthimit nënkupton shkatërrimin e Izraelit, protestë paqësore do të thotë nxitje dhe dhunë”.
KOHA JONË SONDAZH

