Mass: Evropa të angazhohet në Lindjen e Mesme
Një ditë para takimit të Kancelares Angela Merkel me Presidentin Vladimir Putin, shefi i diplomacisë gjermane komentoi mbi Lindjen e Mesme. Ministri Heiko Maas tha se duhet një angazhim më i madh i Bashkimit Evropian, por jo i NATO-s, në mënyrë që të ulen tensionet në Lindjen e Mesme.
Ministri i jashtëm gjerman, Heiko Mass tha se në takimin me presidentin rus Vladimir Putin do të diskutohet për konflikin në Libi dhe domosdoshmërinë që të parandalohet shndërrimi i vendit në një Siri të dytë.
“Gjermania ka disa javë që filloi procesin e Berlinit ku kemi ftuar të gjitha vendet fqinje. Janë vende që kanë ndikim në Libi, që furnizojnë Libinë me armë, gjë që ofron kushte për fillimin e një lufte civile. Kemi hartuar një dokument ku të gjithë zotohen për armëpushim dhe vendosje të embargos së armëve. Kjo do të përcillet nga një proces politik i udhëhequr nga Kombet e Bashkuara. Prandaj duhet Rusia”, tha ai.
Aktualisht Libia udhëhiqet nga dy qeveri paralele, njëra në lindje e tjetra në perëndim.
Qeveria e lindjes mbështetet nga të ashtuquajturat Forcat e Armatosura Arabe të Libisë. Ajo mbështetet edhe nga Emiratet e Bashkuara Arabe, Egjipti, Franca dhe Rusia.
Qeveria e perëndimit, me seli në Tripoli, ndihmohet nga Turqia, Katari dhe Italia. Të dyja palët kanë përkrahje të milicive të krijuara nga fraksionet fisnore të vendit.
Shefi i diplmacisë gjermane foli edhe për angazhimin e NATO-s në Lindje të Mesme. Ai tha se Evropa është ajo që duhet të japë kontributin në rajon, e jo NATO.
“Presidenti amerikan propozoi që NATO të jetë më aktive. Mendoj se NATO-ja nuk është institucioni i duhur për t’u zgjeruar në Lindje të Mesme. Përkundrazi, besoj se kjo çështje u përket vendeve evropiane”, tha ai.
Zoti Mass shtoi se shumica e vendeve të Evropës janë pjesë e koalicionit kundër ISIS-it.
Ai tha se krahasuar me NATO-n, përparësi e Bashkimit Evropian është mundësia që angazhimi ushtarak dhe i sigurisë të shfrytëzohet për rindërtim dhe stabilizimin civil.