May ka humbur kontrollin e procesit të Brexit
Që kur ajo u propozua për të drejtuar Mbretërinë e Bashkuar, e deri më sot, kryeministrja Theresa May është vënë përballë sfidave. Ajo tashmë e ka humbur kontrollin e procesit të Brexit, pasi të mërkurën pësoi një humbje tjetër me anëtarët e kabinetit të saj që refuzuan të mbështesin qëndrimin e qeverisë në një votim vendimtar për çështjen e një Brexit pa marrëveshje.
Sot ligjvënësit do të votojnë nëse do të shtyjnë largimin e Mbretërisë së Bashkuar nga Bashkimi Europian, për pas datës 29 mars. Shumë e konsiderojnë këtë vonesë si një mundësi për të nxitur një “Brexit” të butë, me Mbretërinë e Bashkuar që mban lidhje të forta me BE. Ligjvënësit do të votojnë në një mocion, të paraqitur nga qeveria, që sugjeron vonesën e Brexit për një periudhë të shkurtër, deri në fund të qershorit.
Kjo është e diskutueshme për dy arsye: Së pari, shumë ligjvënës pro-Brexit nuk duan ndonjë vonesë përtej datës 29 mars dhe do të preferonin që Britania të largohej pa një marrëveshje. Së dyti, deputetët e Parlamentit që e duan Britaninë në BE, janë të pakënaqur që vonesa është e kushtëzuar nga votimi i Dhomës së Përfaqësuesve për marrëveshjen e May-t për Brexit, e cila tashmë është hedhur poshtë dy herë.
KOHA JONË SONDAZH

