Mbi 5 milionë, në Indi ”shpërthejnë” infektimet nga Covid-19
Paçka se në fillimin e pandemisë u duk se arriti ta frenonte përhapjen e Covid-19, situata në Indi është përmbysur duke i dalë autoriteteve nga kontrolli. Vendi regjistroi më shumë se 5 milionë të infektuar, numri më i lartë pas Shteteve të Bashkuara.
Covid-19 duket se po përhapet shumë më shpejt në Indi se në çdo shtet tjetër. Ministria vendase e Shëndetësisë raportoi 90.123 raste të reja në 24 orët e kaluara, ndërsa viktimat në total janë më shumë se 80 mijë.
Në mediat vendase raportohet për mungesë shtretërish në repartet e terapisë intensive dhe probleme të mëdha në furnizimin me oksigjen. Rritja e fortë e rasteve vjen në kohën kur qeveria po vazhdon të heqë kufizimet në të gjithë vendin në përpjekje për të ringjallur ekonominë.
Miliona vetë i kanë humbur vendet e punës në Indi që nga muaji mars. Së fundi është vendosur të rihapen palestrat ndërsa shkollat, kolegjet dhe sallat e kinemave, do të mbeten të mbyllura.