Mbi 6 milionë të infektuar, VOA: Arsyet pse shpërtheu koronavirusi në 4 shtete të SHBA
Në Shtetet e Bashkuara numri i rasteve të konfirmuara me koronavirus po tejkalon shifrën 6 milionë, ndërsa numri i vdekjeve ka kaluar shifrën 183 mijë. Katër shtete; Ajova, Dakota e Veriut, Dakota e Jugut dhe Minesota kanë shënuar kohët e fundit numrin më të madh të rasteve me koronavirus brenda një dite.
Në tërësi në Shtetet e Bashkuara, rastet e reja pozitive, shtrimet në spitale, apo numri i vdekjeve kanë shënuar rënie. Rritja e rasteve në 4 shtetet mund të lidhet me tubimet e mëdha të njerëzve.
Në Ajova, dy universitete po zhvillojnë disa orë mësimore në klasa. Po ashtu në Dakotën e Jugut, mbledhja e përvitshme e qindra të apasionuarve pas motorave ka rritur infeksionet e reja.
Ndërsa Shtetet e Bashkuara kanë numrin më të lartë të të infektuarve me Covid, me rreth 6 milionë, ato renditen në vendin e 10, sa i përket numrit të infeksioneve në raport me popullsinë. Numrin më të lartë në raport me popullsinë e ka Brazili, Peruja dhe Kili.
Edhe për numrin e viktimave, me 183 mijë, ndonëse është më i larti, në raport me popullsinë, Shtetet e Bashkuara renditen në vendin e 11, pas Suedisë, Brazilit, Italisë, Kilit, Spanjës, Anglisë, Belgjikës dhe Perusë.
Të martën, në Francë pritet të hapen shkollat, por ministri i Arsimit tha të dielën se një rritje e infeksioneve me koronavirus po i vë planet në rrezik. Franca po raporton disa mijëra infeksione të reja çdo ditë. Kur mbeten edhe një ditë para fillimit të shkollës, mjekët francezë po bëjnë thirrje për masa më të rrepta, përfshirë vendosjen e maskave për nxënësit e moshës 6 vjeç si dhe zhvillim të një pjese të mësimit në internet.
Ministri i Arsimit Jean-Michel Blanquer i tha gazetës “Journal du Dimanche” se disa klasa do të qëndrojnë të mbyllura të martën, por “sa më pak të jetë e mundur”. Plani aktual është që shkollat franceze të rifillojnë mësimin duke mbajtur maska gjatë gjithë ditës për të gjithë fëmijët nga 11 vjeç e sipër dhe me disa kufizime në lëvizje e grumbullime. Vende të tjera evropiane, të tilla si Danimarka dhe shumë shkolla në SHBA po e riorganizojnë plotësisht ditën e mësimit, me klasa më të vogla, me më shumë mësues e më shumë ndarje mes studentëve në klasa si dhe një ndërthurje mes mësimit në klasë dhe në internet.
Italia një nga pikat e hershme të nxehta të koronavirusit, ka një rritje të numrit të personave të shtruar në njësitë e kujdesit intensiv në javët e fundit, me 86 pacientë me COVID-19 të dielën në krahasim me 38 një muaj më parë. Në Zelandën e Re, e cila ka punuar për të vendosur nën kontroll situatën në qytetin e saj më të madh Auckland, shkollat dhe bizneset u rihapën të hënën, ndërsa autoritetet nxorrën një urdhër për vendosjen me detyrim të maskave nga ata që përdorin transportin publik në të gjithë vendin.
“Ne kemi një plan që ne e dimë se do të funksionojë”, u tha kryeministria Ardern gazetarëve. “Ne kemi nevojë që të gjithë të pajtohen me të e japin ndihmën e tyre. Nëse të gjithë u përmbahen atyre udhëzimeve e rregullave, të shoqëruara me të gjitha masat për të ruajtur shëndetit publik, mund të bëjmë që ky plan të funksionojë”, tha ajo./VOA