Mbi 97 mijë viktima nga Covid-19 në SHBA dhe 1,6 mln të infektuar
Pandemia e Covid ka vrarë mbi 97 mijë amerikanë në muajt e fundit dhe brenda javës që vjen pritet të kalojë etapën më tragjike me 100 mijë jetë të humbura në total.
Shtetet e Bashkuara brenda pak ditëve pritet të arrijnë shifrën e 100 mijë viktimave nga koronavirusi.
Me këtë rast, një nga gazetat më të mëdha amerikane, radhiti të dielën në kryefaqen e saj emrat dhe jetëshkrimin e shkurtër të një mijë personave nga i gjithë vendi.
Me titullin “Afro 100 mijë vdekje në Amerikë, humbje e pallogaritshme” gazeta “Nju-Jork-Tajms” sqaroi se radhitja e viktimave tregon përmasat e tragjedisë por edhe e bën historinë e tyre më personale, duke devijuar nga raportimi aktual vetëm i vdekjeve.
Grafistja e projektit tha se kjo është hera e parë në 40 vite që e përditshmja amerikane hapet pa një foto dhe vetëm me tekst në faqen e saj të parë.
Të dielën, SHBA-ja raportoi më shumë se 1,6 milionë amerikanë të infektuar me Covid-19, ndërsa viktimat e pandemisë prekën numrin 97 mijë.
Bilanci është edhe më i rëndë sesa ai që shkaktuan dy luftërat në Vietnam dhe Kore shekullin e kaluar.
Vendi vazhdon të mbetet epiqendra më e madhe e infeksionit në botë, e ndjekur nga Brazili dhe Rusia.
Por shumë shtete të Amerikës kanë nisur të lehtësojnë masat e tyre kufizuese prej koronavirusit.
Për shkak të shirave, qytetarët e Nju-Jorkut dhe Nju-Xhersit evituan turmat në fundjavë, ndërsa rajonet më bregdetare përfituan nga temperaturat e larta për shëtitjet në plazhe.
“Është hera e parë pas shumë kohësh që shoh kaq njerëz.”
“Sot jam vetëm me bashkëshortin, pra një grup i vogël, por të gjithë duken mirënjohës që më në fund mund të dalin dhe të bëjnë gjëra të tjera,” thonë disa qytetarë në shtetin juglindor të Floridës.
Të shtunën, edhe presidenti amerikan, Donald Trump, u shkëput për herë të parë nga punët shtetërore për të praktikuar sportin e preferuar në klubin e tij privat të golfit në rrethinat e Uashingtonit.