Mbi katër milionë ukrainas kanë lënë atdheun
Kombet e Bashkuara kanë thënë që më shumë se katër milionë ukrainas kanë ikur nga vendet e tyre, si pasojë e pushtimit të paprovokuar rus në Ukrainë.
Agjencia e OKB-së për Refugjatë ka shprehur shqetësim më 30 mars se disa sulme të forcave ruse në Ukrainë mund të përbëjnë krime lufte.
Sipas kësaj Agjencie, numri total i refugjatëve deri më 29 mars ka qenë 4.02 milionë, dhe rreth gjysma e tyre kanë bërë rrugën fillestare në Poloni.
“Numri i refugjatëve nga Ukraina tani ka shkuar në katër milionë, pesë javë pas nisjes së sulmeve ruse”, ka thënë Komisionari i Lartë i OKB-së për Refugjatë, Filippo Grandi. Më shumë se gjashtë milionë ukrainas besohet se janë zhvendosur brenda shtetit.
Ukraina ka pasur një popullsi prej 37 milionë banorësh në rajonet që kanë qenë nën kontrollin qeveritar, duke përjashtuar Krimenë e aneksuar nga Rusia dhe rajonet në lindje, që kontrollohen nga separatistët e mbështetur nga Rusia.