Mbledhja e Brussels Group për marveshjen me Greqinë

 

Kujtim VANI

Vazhdojnë bisedimet e Grupit të Brukselit në kryeqytetin belg për reformat që do të promovojë qeveria greke me qëllim arritjen e një marrëveshjeje me dobi reciproke. Bisedimet vazhdojnë në vijim të klimës “pozitive dhe të kënaqshme” për Greqinë, ku u zhvillua takimi i të mërkurës që kishte të bënte me procesin e ri të negociatave dhe se si ky proces do të bëhet më produktiv dhe më rezultativ. Ndërkohë qeveria thotë se “Nuk tërhiqemi nga vijat e kuqe që parashtroi kryeministri. Mandati popullor na angazhon në disa çështje që konsiderohen si kruciale”. Kështu deklaroi një zyrtar i lartë i qeverisë, i pyetur për qëndrimin e qeverisë lidhur me referimet e zyrtarëve europianë në Bruksel që po qe se Athina tërhiqet qoftë në çështjen e sigurimeve shoqërore, qoftë në marrëdhëniet në punë apo tatimet, atëherë do të ketë marrëveshje.  “Ne nuk luajmë lojëra politike”, tha zyrtari që mori pjesë në mbledhjen e grupit politik të negociatave në ministrinë e financave dhe, i pyetur posaçërisht për çështjen e pensioneve, deklaroi kategorikisht se “nuk diskutojmë për ulje të pensioneve”. “Ne”, shtoi zyrtari, “duam një marrëveshje me dobi reciproke sa më shpejt që të jetë e mundur – eventualisht edhe me një takim të jashtëzakonshëm të Eurogrupit, para 11 majit, marrëveshje që e ndërlidhim me një zgjidhje në çështjen e likuiditetit”. Sipas zyrtarit, të enjten, në mbledhjen e këshillit të ministrave do të prezantohet një projekt i draftit të hartuar mbi bazën e “Listës Varufaqis”. Pasi të konkludojë qeveria, drafti do t’i paraqitet Grupit të Brukselit. Varufaqis deklaron se vazhdon të jetë përgjegjës për negociatat. Ministri grek i financave Janis Varufakis i ka dhënë një intervistë gazetës gjermane Die Zeit, ku deklaron se vazhdon të jetë përgjegjës për bisedimet e Greqisë me partnerët e eurozonës. “Unë jap tonin. Vazhdoj të jem përgjegjës për negociatat me Eurogrupin”, tha Janis Varufaqis. Varufaqis theksoi se të dy palët ndodhen më afër një marrëveshjeje nga sa besojnë shumë prej mediave. Ministri i financave shtoi se Athina vazhdon t’u theksojë partnerëve se i ka onceptuar seriozisht reformat. Ndër të tjera Ministria gjermane e financave pret të përshpejtohen bisedimet ndërmjet Athinës dhe partnerëve për një marëveshje, pas vendimit të kryeministrit grek, Aleksis Cipras që të riformatojë grupin që menaxhon negociatat. “Kemi struktura të reja për punën me Athinën. Presim se kjo do të shpjerë në një përshpejtim të bisedimeve”, deklaroi zëdhënësi i ministrisë së financave, Martin Jaeger gjatë informimit të zakonshëm gazetarëve. Zëdhënësi shtoi se është ende herët që të thuhet se kur pritet një marrëveshje. Në favor të marrëveshjes me partnerët dhe qëndrimit në eurozonë dhe kundër një referendumi, shprehet shumica dërrmuese e të anketuarve në një sondazh të GPO që u transmetua nga Mega Channel. Në predispozicionin e votës, SYRIZA grumbullon 36,5%. Tetë në dhjetë qytetarë dëshirojnë që të ketë marrëveshje, dhe jo përplasje me partnerët. Gjashtë në dhjetë qytetarë shprehen kundër mbajtjes së një referendumi për të ratifikuar populli marrëveshjen me kreditorët, në rastin që ajo arrihet, ndërsa shtatë në dhjetë qytetarë thonë “jo” për shkuarjen në zgjedhje të parakohshme në rast se negociatat përfundojnë pa rrugëdalje. Të ndarë paraqiten qytetarët edhe në pyetjen nëxe besojnë se ekziston rreziku i daljes së vendit nga eurozona, ndërsa 75,6% mendojnë se Greqia duhet të mbetet me çdo kusht në zonën e euros. Sa i përket predispozicionit të votës, SYRIZA grumbullon thuajse të njëjtën kuotë me zgjedhjet e janarit (ku kishte marrë 36,34% të votave), ndërsa Demokracia e Re ka një rënie prej rreth 6% në krahasim me zgjedhjet e janarit. Më konkretisht, SYRIZA grumbullon 36,5%, Demokracia e Re 22%, Agimi i Artë 5,5%, Potami 6,5%, Partia Komuniste 5,5%, Grekët e Pavarur 5%, PASOK 4%. Ndërsa Agjencia e vlerësimit financiar Moody’s njoftoi të mërkurën se ka ulur aftësinë paguese të shtetit grek, nga Caa1 në Caa2, duke argumentuar me pasigurinë nëse vendi do të arrijë në kohën e duhur marrëveshje me kreditorët zyrtarë, kështu që të mundë të avancojë në shlyerjen e kësteve në bazë të kontratave të kredive të saj. Moody’s e shoqëroi këtë akt edhe me cilësimin “negativ” për perspektivën e aftësisë paguese të shtetit grek, për shkak të vlerësimit se ekuilibri i risqeve ekonomike, financiare dhe politike në Greqi ka tendencën që të ushtrojë presion “të ulët”.

SHKARKO APP