Mbretëria e Bashkuar: 4 të arrestuar pasi hodhën krem pastiçerie mbi Bizhuteritë e Kurorës

Katër protestues u arrestuan të shtunën pasi hodhën krem pastiçerie dhe një ëmbëlsirë me mollë mbi vitrinën që përmbante Bizhuteritë e Kurorës në Kullën e Londrës, njoftoi policia. Përgjegjësinë për incidentin e mori “Take Back Power”, një organizatë që e përshkruan veten si një grup i rezistencës civile.

Grupi postoi pamjet e incidentit në mediat sociale. “Demokracia është shkatërruar!”, bërtiti një grua e re, ndërsa një burrë shtoi: “Britania është e thyer”. “Kemi ardhur këtu, te bizhuteritë e kombit, për të rimarrë pushtetin,” shtoi ai.

Në një deklaratë, “Take Back Power” tha se i bën thirrje qeverisë të krijojë një “Dhomë të Përhershme të Popullit” që ka fuqinë të taksojë pasurinë ekstreme dhe të rregullojë Britaninë. Pas incidentit, Shtëpia e Bizhuterive në Kullën e Londrës u mbyll përkohësisht për publikun.

Swiss Digital Desktop Reklama

Policia tha se protestuesit u arrestuan nën dyshimin për dëmtim kriminal. Megjithatë, Bizhuteritë e paçmueshme të Kurorës së Britanisë, të cilat janë një atraksion i madh turistik, nuk u dëmtuan, sipas “Historic Royal Palaces”, organizata e pavarur bamirëse që kujdeset për kullën.

Swiss Digital Mobile Reklama

Incidenti në Kullën e Londrës, një nga atraksionet më të njohura turistike të kryeqytetit britanik, është demonstrata e dytë e pretenduar nga grupi “Take Back Power” në ditët e fundit. Të mërkurën, tre protestues hodhën thasë me pleh organik poshtë pemës së Krishtlindjeve në hotelin “The Ritz”.

Bizhuteritë e Kurorës janë thesaret më të çmuara të Britanisë, duke përmbajtur 2,868 diamante, 17 safirë, 11 smeraldë, katër rubinë dhe 269 perla. “Historic Royal Palaces” e përshkruan kurorën si “të paçmueshme, me vlerë të pallogaritshme kulturore, historike dhe simbolike”.

Përveç kurorëzimeve, kurora e paçmueshme nxirret vetëm për raste formale, siç është Hapja Shtetërore e Parlamentit, dhe ruhet në Shtëpinë e Bizhuterive të Kullës së Londrës kur nuk është në përdorim. Ajo u krijua për kurorëzimin e gjyshit të Mbretit Charles III, Mbretit George VI, në vitin 1937.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A e liron Gjykata Kushtetuese nga burgu, Erion Veliajn?