Mbrrin në Athinë Zëvendëspresidenti i KE, Jyrki Katainen

 

Vizita në Athinë e zëvendëspresidentit të Komisionit Europian, njëherazi komisioner për punësimin, investimet dhe kompetivitetin, Jyrki Katainen, tregon mbështetjen e BE ndaj Greqisë, sipas kreut të delegacionit të KE në Greqi, Panos Karvunis. Katainen po mbërrin në Athinë të enjten për një vizitë dy-ditore, gjatë së cilës ai pritet të takohet me kryeministrin Aleksis Cipras dhe ministra të tjerë, si dhe liderë të biznesit grek. Vizita është pjesë e përpjekjeve të KE për promovimin e planit të investimeve me vlerë më shumë se 300 miliardë euro, si dhe për të shpjeguar mundësitë e reja që ofrohen për qeveritë, investitorët dhe bizneset. “Prania e zëvendëspresidentit Katainen në këto momente në Greqi, është një zhvillim jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe tregues i mbështetjes së BE-së ndaj vendit tonë”, deklaroi Karvunis.

Po sot kryeministri Aleksis Cipras do të takohet në Bruksel me Kancelaren gjermane Angela Merkel në kuadër të samitit të jashtëzakonshëm të Bashkimit Europian, ku do të dominojë çështja e emigracionit, ndërsa pritet të diskutohet çështja e ekonomisë greke dhe e negociatave të Greqisë me institucionet. Takimi Cipras-Merkel, që është i dyti brenda një muaji, realizohet me vullnet reciprok dhe siç deklaroi zëdhënësi i qeverisë, kryeministri pritet të nënvizojë se ekziston vullneti nga pala greke, që të bëhen hapat për kompromisin reciprok dhe zgjidhjen me dobi reciproke dhe të jepet shpejt zgjidhje. Në samitin e jashtëzakonshëm të BE, kryeministri Aleksis Cipras pritet të prezantojë propozimet e qeverisë greke për politikën e emigracionit dhe krizën.

K. Vani

SHKARKO APP