Mbytja e anijes shqiptare, Parieti-deputetes italiane: Injorante, raciste dhe naziste!
Alba Parieti është një personazh i njohur i ekranit italian, e njohur gjerësisht për publikun shqiptar, por ka arsye që të jetë edhe më e dashur për shqiptarët më tej, pasi i është kundërvënë deputetes Daniela Santanke mbi deklaratën për emigrantët, pas ngjarjes së fundit ndodhur në kanalin e Sicilisë, ku viktimat mendohet të jenë 900, sipas dëshmive të të mbijetuarve. Shoëgirl italiane duke iu referuar deklaratës më të fundit të politikanes së Forca Italia, e cila këshillonte mbytjen e anijeve të me emigrantët për të përballuar situatën e krijuar, e cilësoi atë si injorante, raciste dhe naziste. Në një ndërhyrje në emisionin radiofonik Italian, Zanzara, Parieti u shpreh se të shfrysh kundër të dëshpëruarve “është një apologji për gjenocidin, është racizëm dhe nazizëm puro. Nëse ajo do të mbysë anijet le të fillojmë nga anija e saj,” u shpreh Parieti për Radio24. Më tej ajo shtoi se mund të falte injorantët e shkretë, të cilët publikojnë mesazhe urrejtjeje në Twitter por politikanët nuk mund t’i lejojnë vetes të thonë ç’të duan dhe asnjeri të mos marrë masa. Madje Parieti tha se nuk donte ta shihte dhe të fliste më me Santankenë. Në ndërhyrjen e gazetarëve të cilët theksuan se deputetja e Forca Italia i referohej anijeve bosh, atëherë Parieti reagoi duke thënë se Santanke duhet të saktësojë nëse anijet duhet të jenë bosh apo plot. “Në një moment me 900 persona që mendohet të jenë mbytur nuk ka më asgjë për të thënë, – përfundoi Parieti.