Më shumë se 1000 të vdekur nga pandemia e koronavirusit në Turqi
Turqia kaloi sot pragun e 1 000 të vdekurve nga pandemia e koronavirusit të ri, me 98 vdekje të reja, njoftoi ministri i Shëndetësisë, Fahrettin Koca.
“Epidemia ka vrarë gjithsej 1 006 persona, nga 47 029 raste të raportuara në Turqi”, tha ministri Koca, gjatë një konference.
Sipas tij, 2 423 pacientë me COVID-19 të shtruar në spital janë shëruar.
Koca tha se më shumë se 307 000 teste depistimi janë kryer deri më tani në Turqi, ku shkalla e vdekshmërisë së personave me virus arrin në 2,15 %.
Turqia është përballur me një përshpejtim të pandemisë për disa ditë, me më shumë se 3 000 raste infektimi të reja të shpallura çdo ditë që nga 4 prilli.
Shkollat, baret dhe hapësirat kulturore janë mbyllur, fluturimet janë pezulluar dhe lëvizja është e kufizuar.
Për momentin, vetëm njerëzit mbi 65 vjeç dhe nën 20 vjeç nuk lejohen të lëvizin.