Medvedev: Qeveria duhet të reduktojë shpenzimet me 10 për qind
Kryeministri rus, Dmitri Medvedev i kërkoi qeverisë të reduktojë me 10 për qind shpenzimet e parashikuara në buxhetin e vitit 2015, pasi të ardhurat çalojnë për shkak të krizës ukrainase dhe të çmimeve të naftës, raportoi sot gazeta “Vedomosti”. “Gjatë një mbledhje të qeverisë, Medvedev vendosi të limitojë shpenzimet në 90 për qind në raport me atë që është vendosur në ligjin e buxhetit për vitin 2015″, theksoi e përditshmja ekonomike duke cituar tri burime shtetëror që nuk i publikoi. Burimet, në të cilat bazohet gazeta garantojnë se shpenzimet sociale do të ruhen. Në nëntor, ministri i Financave, Anton Silouanov, kishte vlerësuar se Rusia mund të humbasë 40 miliardë dollarë në vit për shkak të sanksioneve dhe deri në 100 miliardë dollarë për shkak të rënies së çmimit të naftës. Analistët e “VTB Capital” gjykuan se rënia e çmimit të arit të zi mund të sjellë një deficit buxhetor nga 2 për qind deri në 2,5 për qind të Produktit të Brendshëm Bruto. Sipas ekonomistëve të bankës ruse Alfa, një ulje e shpenzimeve do të jetë pozitive për stabilitetin buxhetor dhe për të luftuar inflacionin, që është rreth 10 për qind. Por nga ana tjetër këto ulje mund të prekin investimet në infrastrukturë dhe të peshojnë mbi ekonominë, shtuan ata.