Meksika ngre ushtrinë dhe dronët për të mbrojtur vezët e breshkave

Qeveria meksikane ka njoftuar se ka vendosur dronë në plazhet e Oaxaca-s, në përpjekje për të frenuar tregtinë e paligjshme të vezëve të breshkave të detit, të mbrojtura me ligj.

Çdo vit, breshkat e rrezikuara ngjyrë ulliri rikthehen në bregdet për të ngritur fole për vezët në rërë. Edhe pse shitja e mishit dhe vezëve të breshkave është e ndaluar në Meksikë prej dekadash, tregtia e tyre mbetet aktive.

Vezët mund të shiten për një dollar, kokrra, ndërkohë që në plazh vendosen mijëra prej tyre gjatë sezonit të mbarështimit. Për shkak të tregtarëve të paligjshëm, vetëm një numër i vogël vezësh mbeten në rërë, edhe ato në rrezik prej zogjve, qenve apo gaforreve.

Tani zyrtarët shpresojnë se filmimet e dronëve do të ndihmojnë që të zbulohen shtigjet e kontrabandistëve. “Nga ajri është e lehtë të identifikohen”, thotë inspektori i mjedisit Edgar Ferrusquilla. “Kur dikush ecën, lë një vrragë në atë rrugë dhe falë kësaj pajisjeje ne mund të shohim atë që nuk mund ta shohim nga toka për shkak të kodrave dhe bimësisë.”

Para vitit 1950, rreth 10 milionë breshka erdhën në brigjet e Meksisës dhe ngritën fole. Por joshja agresive për vezët e tyre në vitet ’60 bëri që popullata e tyre të pësojë një rënie të ndjeshme dhe në disa plazhe, foletë të zhduken fare.

Tani mbetet të shihet nëse masat e marra do të largojnë kontrabandistët, të paktën gjatë ditës, sepse natën dronët nuk punojnë

SHKARKO APP