Merkel: Greqia duhet të zbatojë “çdo paragraf” të marrëveshjes së Eurogrupit

Kancelarja gjermane, Angela Merkel deklaroi se Greqia është e detyruar të zbatojë “çdo paragraf” të marrëveshjes për zgjatjen e afatit të marrëveshjes së kredisë, që u arrit në takimin e Eurogrupit të 20 shkurtit. Merkel shtoi që, nëse dhe përderisa kryeministri grek Aleksis Cipras propozon reforma ekuivalente, situata do të rishqyrtohet. “Çdo paragraf i marrëveshjes mbetet në fuqi”, tha zonja Merkel në konferencën për shtyp që dha në përfundim të samitit të BE të premten dhe shtoi se hapi tjetër për zgjidhjen e krizës greke është që Aleksis Cipras t’i paraqesë Komisionit Europian një listë të kompletuar reformash brenda ditëve të ardhshme. Greqia mund të bëjë propozime të reja për reforma ekonomike sa u përket çështjeve si pensionet apo tatimet, “përderisa kanë rezultat ekuivalent”, me angazhimet e mëparshme, vuri në dukje Merkel dhe shtoi se këto propozime do të shqyrtohen nga institucionet. Merkel insistoi, ashtu siç kishte bërë edhe pas mini samitit të së enjtes, se Greqia do të marrë kapitale të reja, pasi të miratohet lista “e kompletuar” e reformave që do të dërgohet në KE.

SHKARKO APP