Mesatarja e vdekjeve nga Covid në Sarajevë, më e lartë se e vrasjeve nga pushtimi serb
Mediat italiane i kanë kushtuar një raportim të detajuar situatës nga pandemia e Covid-19, në Bosnje e Hercegovinë.
Sipas të dhënave mesatarja e viktimave të pandemisë është më e lartë se ajo e vrasjeve gjatë pushtimit serb….
Boshnjakët janë mish për top. Dhe Europa, aktualisht e bombarduar nga ankthi i pandemisë, nuk ka kohë të mendojë për tragjedinë e tyre. As për shifrat e larta të Covid 19, më të këqija se ato të luftës së 1992-shit: në Sarajevë mesatarisht humbin jetën çdo ditë më shumë persona se sa vriteshin nga qitësit serbë në kohën e luftës.
Pas Hungarisë, Bosnje e Hercegovina është e dyta në botë për përqindjen më të lartë të vdekjeve çdo 100 mijë banorë. Dhe nëse pushtimi i koronavirus do të zgjaste katër vjet, sa pushtimi i Millosheviç, me këto ritme do të përballeshim me një tjetër spastrim etnik. Me paradoksin që sot, janë serbët ata që po shpëtojnë Bosnjen: dhurojnë vaksina dhe lejojnë që armiqtë e së kaluarës të shkojnë në Beograd për t’u vaksinuar me Pfizer dhe AstraZeneca.
Ora policore nis në 9 të mbrëmjes, njësoj si në vitet ‘90, dhe Sarajevë është boshatisur më pas. Gjithsesi është më mirë se mbyllja totale e një viti më parë, ndonjë xhami qëndron e hapur në këtë muaj Ramazani, dhe lejohen mbledhjet familjare për iftar.
Ata që kanë përjetuar luftën në kontakt më të drejtpërdrejtë shprehen se nuk e besonin se do të rishihnin sërish rrugë të boshatisura, dhe radhë të gjata për të marrë bukë. Ata që kanë shtëpi në mal, janë larguar me kohë.
Dhe nëse europianët nuk mund t’i lejojnë vetes krahasime me luftën e vërtetë, që nuk e njohin, banorët e Sarajevës mund ta bëjnë. Ata thonë se gjatë luftës dhe pse kishte bombardime, plumba që fluturonin e qitës në pritje, gjithsesi gjendej një mënyrë për të dalë nga shtëpia. Por tashmë askush nuk del.
Në një urë është vendosur posteri: “Luftojmë për jetën! Por askush nuk lufton vërtet. Nuk ka rezistencë”.
Vendi është i fundit në Ballkan për numër vaksinimesh. Nuk ekziston një ministri e shëndetësisë sepse marrëveshja për paqe e Dejton – e nënshkruar në 1995-ën – nuk e parashikon një të tillë. Nga viti 2018 mungon një qeveri e vërtetë pasi myslimanë, serbë dhe kroatë nuk bien dakord.
Në kampet e refugjatëve, infektimet mes sirianëve dhe afganëve janë jashtë kontrollit. I kundërshtuar në shesh çdo javë, kryeministri Fadil Novalic është në proces gjyqësor për historinë e njëqind respiratorëve falsë, të paguar për 50 milion euro kinezëve, të cilët kanë vrarë shumë nga të shtruarit në spital. Nën akuzë është dhe rrjeti shumë i keq spitalor i drejtuar nga bashkëshortja e pushtetshme e liderit muzliman Izetbegovic, si dhe një sistem shëndetësor kaotik.
Korsitë e spitaleve mundohen: në enklavën e Republikës Serbe, vaksinat i bën doktoreshë Karadxhiç, vajza e kriminelit të luftës; në Srebrenicë, vejushat marrin doza dhuratë nga Turqia. Rrjetet sociale ziejnë nga zemërimi, sidomos kur shohin mrekullinë që vaksinat po bëjnë në Serbinë fqinje, apo mendojnë poshtërimin duke i kërkuar ndihmë dikujt si Aleksandar Vuçiç, kryeministrit serb që dikur ishte zëdhënësi i Milloshevic. Gazetarë e politologë në vend shprehen se po jetojnë em lëmosha.
Covid sipas tyre ka promovuar një klasë drejtuese ambicioze që vendos për jetën e qytetarëve por që nuk është në lartësinë për ta bërë një gjë të tillë. Politikanët janë vaksinuar me ato pak doza që ishin në dispozicion, ndërsa të moshuarit mbajnë radhën.
Ndërsa respiratorët janë blerë nga një firmë kineze që prodhon llampa, denoncojnë ata.
Por dhe përfaqësues e drejtues fetar e cilësojnë qeverinë si të paaftë. Sipas tyre nuk ekziston një plan emergjence. Dhe shumë prej tyre e kanë përjetuar pushtimin serb. Por nuk ka më besim as te politikanët më të rinj.
Benjamina Karic, 30 vjeç, gruaja e parë që merr postin e kryebashkiakes së Sarajevës, nuk është figurë shumë e njohur për banorët të cilët janë të bindur se është emëruar nga qarqe të caktuara.
Banorët janë dakord të marrin vaksinat dhuratë nga Serbia por jo në këmbim të postit të kryebashkiakut të Sarajevës, i cili sipas tyre i takonte Bogiç Bogiceviç. Serb, kurajoz që gjatë luftës diti të kundërshtojë Millosheviç
/abcnews.al/