Miliarderi amerikan Michael Bloomberg mund të hyjë në garën presidenciale
Ish-kryetari i bashkisë së Nju Jorkut Michael Bloomberg po shqyrton idenë për të hyrë në garë për zgjedhjet presidenciale amerikane të vitit 2020. Bloomberg synon të marrë mbështetjen e demokratëve për të qënë ai kandidat kundër Donald Trump.
Sipas mediave amerikane, Bloomberg mendon se nevojitet një kandidaturë e fortë për t’u përballur me shefin aktual të shtëpisë bardhë Trump që synon të fitojë një mandat të dytë. Miliarderi amerikan Michael Bllomberg i cili posedon edhe rrjetin televiziv ndërkombëtar Bloomberg raportohet të jetë shprehur skeptik se kandidatet aktualë demokratë do të arrijnë të mundin presidentin Trump në zgjedhjet që zhvillohen vitin tjetër.
77-vjeçari pritet të plotësojë dokumentacionin e nevojshëm për të marrë pjesë në primaret demokrate në Alabama. Nëse Bloomberg futet në garë, fillimisht do të duhet të përballet me kandidatët e tjerë demokratë mes të cilëve edhe ish zëvendës presidentin Biden. Sipas revistës Forbes, Michael Bloomberg është njeriu i tetë më i pasur në Shtetet e Bashkuara me një pasuri prej 53.4 miliard dollarësh, gjë që do t’i mundësonte atij edhe financimin e fushatës së tij pa qenë e nevojshme për donacione.