Ministri i Jashtëm serb: Rikthimi i Trump, mundësi për ringjalljen e dialogut me Prishtinën
Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Marko Gjuriç, ka deklaruar se mandati i ri i presidentit amerikan Donald Trump mund të jetë një mundësi e re për të ringjallur procesin e përmirësimit të marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.
Sipas Gjuriçit, administrata e parë e Trump solli “ide të reja” në marrëdhëniet midis Beogradit dhe Prishtinës dhe mandati i ri përfaqëson një mundësi për të ringjallur procesin e dialogut.
Gjuriç beson se njëfarë progresi është arritur nga emërimi i diplomatit veteran Christopher Hill si ambasador i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, si dhe përpjekjet për të forcuar lidhjet ndërmjet Serbisë dhe Kroacisë.
Ai vlerësoi se Trump mund të sjellë energji të re në proces, madje të vizitojë Serbinë, gjë që sipas tij do të tregonte se Uashingtoni është një partner të cilit mund t’i besohet.