Mitrovicë – Split, projekt i përbashkët i universiteteve

Drejtuesit e Universitetit të Mitrovicës “Isa Boletini” (UMIB) dhe ata të Universitetit të Splitit në Kroaci, kanë arritur marrëveshje për hapjen e një programi të përbashkët të quajtur “Vetëpunësimi i studentit”. Ky projekt ka qenë një prej pikave të marrëveshjes për bashkëpunim, që është nënshkruar nga rektori i UMIB-it, Alush Musaj dhe atij të Universitetit të Splitit, Simon Anđelinović. Rektori Musaj, i cili gjatë qëndrimit në Kroaci shoqërohej edhe nga prorektori për Marrëdhënie me Jashtë, Rifat Morina, ka falënderuar homologun e tij për gatishmërinë që të angazhohen në projekte të përbashkëta. Si shembull i mirë u përmend shkëmbimi i studentëve që parashikohet të realizohet në kuadër të projektit “ErasmusPlus”.

Ndërsa për programin “Vetëpunësimi i studentit”, rektori Musaj, tha se “ideja është që projekti të jetësohet me kapacitetet që kanë të dy universitetet. Projekti është në fazën fillestare, ndërsa qëllimi është që t’u ofrojmë studentëve një mundësi më shumë që të jenë sa më afër tregut të punës”. Në anën tjetër, rektori i Universitetit të Splitit, Simon Anđelinović, ka shprehur kënaqësinë e tij për marrëveshjen e arritur me UMIB-in. “Janë hapat e parë të një bashkëpunimi që shpresojmë të jetë i dobishëm për të dyja palët”, tha ai.

Rektori Anđelinović, potencoi se duhet dhënë rëndësi ofrimit të programeve me komunitetin lokal. Në këtë kontekst, sipas tij, duhet ndërlidhje më e madhe ndërmjet programeve të studimit në universitete dhe biznesit. Për realizmin e kësaj marrëveshje, të dy rektorët u zotuan të angazhohen personalisht në mënyrë që të jenë shembull të bashkëpunimit universitar në rajon. Ata shfaqën shpresën se projektet që kanë nisur do të jenë të suksesshme dhe do të krijojnë mundësi më të mëdha për studentët dhe mësimdhënësit e të dy universiteteve. Njoftimi i dërguar sot thekson se UMIB-i ka realizuar një sërë marrëveshjesh për bashkëpunim me universitetet shqiptare në rajon, me disa universitete nga Turqia, më pas me universitete nga shtete të ndryshme europiane dhe amerikane. Këto marrëveshje kanë krijuar mundësi të mëdha për studentët dhe mësimdhënësit e këtij universiteti, i cili në mars shënon dy-vjetorin e themelimit.

SHKARKO APP