Mitsotakis takim ”kokë më kokë” me Biden, ja çfarë pritet të diskutohet
Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis do të udhëtojë në Uashington më 4 prill, ku do të takohet me presidentin amerikan Joe Biden. Lajmin e ka bërë të ditur ambasadori amerikan në Greqi, George Tsounis nga konferenca “City Hub Events” që zhvillohet në Aleksandropolis, kur ju referua marrëdhënieve greko-amerikane, duke zbuluar se kreu i qeverisë greke do të jetë në Shtëpinë e Bardhë më 4 prill.
Kryeministri Mitsotakis do të marrë pjesë në aktivitetin e organizuar tradicionalisht në Shtëpinë e Bardhë për përvjetorin e Revolucionit Grek të 1821 dhe në të njëjtin kontekst do të zhvillojë një takim dypalësh me presidentin amerikan, Joe Biden.
Në takimin Mitsotakis-Biden pritet të diskutohen të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me Greqinë dhe SHBA-në, si programet e armatimeve, çështjet energjitike dhe marrëdhëniet strategjike mes dy vendeve. Gjithashtu do t’i referohen konflikteve të Ukrainës, Lindjes së Mesme, zhvillimeve në Mesdheun Lindor dhe marrëdhënieve greko-turke.