Mjekët gjermanë i drejtojnë thirrjen urgjente qeverisë dhe ngrenë alarmin për një valë të dytë të përhapjes së COVID-19
Mjekët gjermanë kanë dalë me një paralajmërim të fortë dhe i kanë kërkuar qeverisë që të mbajë ende mbyllur kufijtë, dhe për arsye shëndetësore njerëzit duhet të qëndrojnë atje ku jetojnë.
Ministri i Jashtëm gjerman Heiko Mas, u takua në fillim të javës për herë të parë me homologët e dhjetë vendeve evropiane, në përpjekje për të shpëtuar sezonin turistik sidomos për ata që duan të shkojnë në plazh. Një takim ky i përqendruar në rregullat që duhen aplikuar në pritje të takimit të radhës javën e ardhshme.
Por mjekët gjermanë janë të mendimit se udhëtimet do të shtojnë rrezikun për një valë të dytë infektimi më të keqe se ajo e para pasi njerëzit nuk do të tregohen të kujdesshëm dhe të përgjegjshëm.
Ata theksojnë se qeveria po vepron e drejtuar nga arsyet ekonomike duke nënvlerësuar rreziqet për shëndetin. Qeveria gjermane ka në program të lejojë udhëtimet për turistët gjermanë duke filluar nga vendet e Bashkimit Europian. Kufizime do të ketë për vende jashtë BE-së.
Por fillimisht duhet të hapen të gjithë kufijtë. Gjermania do të rinisë në 15 qershor me vendet fqinje me përjashtim të Republikës Çeke dhe Polonisë me të cilat nuk ka ende një marrëveshje.
Ndërkohë ekspertët e sektorit të turizmit shprehen se nuk presin rritje të çmimeve, dhe pse hotele e bare do të shpenzojnë më shumë në kuadër të masave të ashpra për higjienën, konkurrenca do të jetë e madhe. Kështu që nuk do të jetë një gjë frytdhënëse rritja e çmimeve.