Mjekët masin kohën sa qëndrojnë në dhomë, koronavirusi ka zhdukur intimitetin pacient-doktor
Ritualet ditore por edhe ndërveprimi në spitalet greke ka ndryshuar me situatën pandemike. Mbajtja e veshjeve mbrojtëse dhe e maskave ka zhdukur intimitetin e dikurshëm pacient-doktor, por ata janë shpresëplotë se do kapërcejnë këtë fazë.
Pandemia e koronavirusit ka rralluar ndërveprimin dhe marrëdhëniet njerëzore mes pacientëve dhe doktorëve.
Në një spital të Athinës, mjekët masin edhe kohën sa qëndrojnë në dhomë për të mos rrezikuar ekspozimin ndaj virusit, që në vend ka infektuar mbi 2 mijë veta dhe ka vrarë mbi 100 të tjerë.
“Nuk është më ai intimiteti si para epokës së koronavirusit. Pacienti nuk sheh më një fytyrë por një doktor me veshje mbrojtëse, që shpesh nuk e njeh.”
“Ishim mësuar të hynim për të parë pacientët, t’i takonim, t’u thoshim mirëmëngjes, të qeshnim dhe të njihnim njëri-tjetrin,” tregojnë dy doktorë të rinj në spitalin “Sotiria” në kryeqytetin grek.
Kolegët ndërrojnë pacientët me njëri-tjetrin çdo 2-3 orë për të ulur mundësinë e infektimit dhe të përcjelljes së sëmundjes te familjarët.
Dita më pozitive konsiderohet ajo kur pacientët dalin nga dhoma e reanimacionit.
Një prej tyre shpreson të jetë edhe Maria Milona, e cila prej 17 ditësh trajtohet për simptomat e koronavirusit.
“Jeta është shumë e bukur, plot me surpriza dhe të papritura. Doktorët janë gjithmonë me maska, por unë i njoh, më vizitojnë rregullisht dhe interesohen e më inkurajojnë.”
Falë reagimit të hershëm, Greqia i ka shpëtuar relativisht lehtë pasojave të pandemisë krahasuar me shtetet e tjera simotra.
Qeveria njoftoi të enjten se Pashkët e këtij viti kanë për të qenë ndryshe, ndaj qytetarëve u është bërë thirrje të mos planifikojnë vizitat me të afërmit dhe as të mos shpresojnë pjesëmarrjen në shërbesat kishtare.
Masat e vetizolimit social do të qëndrojnë në fuqi të paktën deri më 27 prill kur edhe do punohet për kthimin e gjatë dhe gradual drejt normalitetit.