Moment historik, një grua për presidente në Greqi

Kryeministri grek Kyriuakos Mitsotakis ka propozuar për postin e Presidentit të Republikës së Greqisë një grua, Ekaterini Sakellaropoulou. E ndërsa mandati i presidentit Prokopis Pavlopoulos do ende dy muaj që të mbarojë, kryeministri Mitsotakis lë shenjë në historinë greke duke propozuar për herë të parë në historinë e vendit në këtë post një grua.

Mitsotakis u shpreh se, “Termi qytetar është i gjinisë mashkullore, por demokracia, Greqia dhe progresi janë gjini femërore. Ky fakt na fton të bëjmë një hap të madh. Vlerësoj se është momenti që vendi ynë të ketë në postin më të lartë një greke të denjë”.

Ekaterini Sakellaropoulou aktualisht mban detyrën e Presidentes së Këshillit të Shtetit, gjykatës më të lartë në Greqi. Procedura e zgjedhjes së presidentit grek kalon nga parlamenti ku kandidati duhet të marrë në votimin e parë dhe të dytë të paktën 200 vota, në votimin e tretë 180 dhe në të fundit të paktën 151 vota nga 300 deputetët e parlamentit.

SHKARKO APP