Monedhat digjitale, BE kërkon vendosjen e rregullave
Shtetet anëtare të Bashkimit Evropian paralajmëruan Facebook-un dhe kompanitë e tjera që po planifikojnë të kenë monedha digjitale, se përpara nisjes së përdorimit të tyre, BE do të përcaktojë një kuadër rregullator dhe mbikëqyrës.
“Asnjë monedhë e re botërore nuk duhet të fillojë funksionimin, derisa sfidat dhe rreziqet ligjore, rregullatore dhe mbikëqyrëse nuk janë identifikuar dhe adresuar në mënyrë të duhur”, thanë vendet anëtare të BE-së, përmes një deklarate të përbashkët.
Facebook ka dalë vazhdimisht kundër një rregullatori dhe shqetësimeve të qeverive, që kur njoftoi planet e saj për një monedhë digjitale të quajtur Libra. Gjiganti i rrjeteve sociale dëshiron që Libra të përdoret për pagesa ndërkufitare, e cila mund të blihet duke përdorur një monedhë standarde, sikurse janë dollarët ose eurot.
Por, vendet e Bashkimit Evropian, thanë se nevoitet më shumë informacion lidhur me “mënyrën sesi planifikojnë të menaxhojnë rreziqet e këtij biznesi”.
Duke pasur parasysh bazën e madhe të përdoruesit të platformës së mediave sociale prej 2.4 miliardë përdoruesve aktivë mujorë, ka shqetësime që Libra mund të kërcënojë sovranitetin e monedhave kombëtare dhe të shkaktojë çrregullime të mëdha të tregut financiar.