Mori peng një avion të tërë për të kapur gazetarin opozitar, BE kërcënon Bjellorusinë: Tmerrësisht e papranueshme, do përballeni me pasoja
Bashkimi Europian ka kërcënuar me pasoja të rënda Bjellorusinë nëse nuk do të lejojë rinisjen e fluturimit të avionit të kompanisë Ryanair drejt kryeqytetit të Lituanisë me të gjithë pasagjerët e tij në bord.
Ajo që ka reaguar ka qenë Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen.
“Është tmerrësisht e papranueshme që të detyrosh një avion të nisur nga Athina për në Vilnius për t’u ulur në Minsk”, thotë Presidentja e KE.
Von der Leyen kërkon që në bordin e avionit që do të riniset për në kryeqytetin lituanez të jetë edhe gazetari opozitar bjellorus i arrestuar nga autoritetet vendase.
“Të gjithë pasagjerët duhet të jenë në gjendje që të vazhdojnë udhëtimin e tyre menjëherë dhe të sigurtë drejt Vilniusit. Çdo shkelje e rregullave në transportin ajror ndërkombëtar duhet të përballet me pasojat”, thotë Presidentja e KE.