Moti i acartë “gjunjëzon” SHBA, 150 milionë amerikanë në rrezik
Shtetet e Bashkuara të Amerikës po kalojnë një mot të ftohtë dhe të stuhishëm që ka shkaktuar mbi 20 viktima.
Shërbimi i meteorologjisë njoftoi se 150 milionë amerikanë ndodhen nën rrezikun e acarit, ndërsa 73 për qind e vendit është mbuluar nga dëbora.
Në shtetin e Teksasit, presidenti Xho Bajden miratoi gjendjen e emergjencës teksa temperaturat prekën nivelin -18 gradë Celsius, më të ulëtat në 30 vite.
Kërkesa e lartë për ngrohje ngarkoi për disa orë linjat elektrike.
“Duket se ka mbi 35 centimetra borë dhe do na duhet tri ditë për ta pastruar. Dëgjoj për Teksasin ku kanë mbetur shumë njerëz pa energji.”
“Është shumë borë dhe shumë ftohtë. Më kujton stuhinë e madhe të vitit 2011 apo 2012.”
Në SHBA-në qendrore dhe jugore, brenda javës janë raportuar incidente vdekjeprurëse si pasojë e të ftohtit, duke nisur nga helmimi i personave që tentonin të ngroheshin, te aksidentet me makina apo rrëzimet në rrugët e akullta.
Viktima nga acari raportuan shtetet e Tenesit, Teksasit, Kentakit dhe Luizianës.
Ndërkohë përveç të ftohtit arktik, shtete të tjera amerikane provuan të martën edhe anën tjetër shkatërruese të natyrës.
Një tornado i fuqishëm kaloi në jug të Karolinës Veriore duke vrarë të paktën tre persona, duke shembur banesat dhe duke thyer pemët dhe shtyllat e energjisë elektrike.
Autoritetet thanë se po vlerësojnë dëmet e tornados, ndërsa për stuhinë, ajo dhe temperaturat e ulëta pritet të vazhdojnë në të gjithë SHBA-në qendrore dhe lindore për disa ditë