Nafta e Venezuelës në duart e SHBA-së, fitore strategjike apo rrezik ligjor?
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë finalizuar shitjen e parë të naftës venezueliane, me vlerë rreth 500 milionë dollarë, sipas një zyrtari të administratës që foli për CNN. Pritet që shitje të tjera të naftës të realizohen në ditët dhe javët në vijim.
Kjo marrëveshje vjen pas zhvillimeve të fundit në Venezuelë, ku Presidenti Donald Trump deklaroi më parë se SHBA synon të ketë akses në rezervat më të mëdha të naftës në botë, pas ndërhyrjes ushtarake amerikane dhe kapjes së Presidentit Nicolás Maduro.
Trump ka thënë se industria e naftës do të kontribuojë me të paktën 100 miliardë dollarë për të riparuar sektorin energjetik të Venezuelës, i cili është dëmtuar rëndë gjatë viteve të krizës. Ai gjithashtu deklaroi se SHBA planifikon të eksportoje 30–50 milionë fuçi naftë venezueliane në bashkëpunim me korporatat amerikane.
Megjithatë, planet amerikane janë përballur me skepticizëm nga disa drejtues të industrisë së energjisë. Darren Woods, drejtori ekzekutiv i ExxonMobil, i tha zyrtarëve se situata është “e painvestueshme” dhe që “duhen krijuar korniza ligjore dhe tregtare” për të kuptuar kthimet financiare të mundshme nga investimet në Venezuelë.
Në një deklaratë për media, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Taylor Rogers, tha se ekipi i Presidentit Trump po nxit diskutime pozitive e të vazhdueshme me kompani të naftës, të gatshme për të bërë investime të paprecedenta për të rivendosur infrastrukturën e naftës në Venezuelë.
Detajet specifike të kësaj shitjeje të parë mbeten ende të paqarta, ndërsa administrata amerikane njofton se po punon për t’i finalizuar marrëveshjet e tjera.
KOHA JONË SONDAZH
Si ishte viti 2025 për ju?
Results
Vota totale: 26205

