NATO: Të rrezikshme spekulimet për ndryshim kufijsh
Presidenti i Maqedonisë së Veriut dhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, gjatë takimit në Bruksel kanë komentuar dokumentet jozyrtare që po qarkullojnë në Bruksel mes vendeve anëtare të BE-së, por edhe të NATO-s, duke theksuar se ndryshimi i kufijve në rajon është i papranueshëm dhe çon drejt destabilizimit të Ballkanit Perëndimor. Stoltenberg është shprehur i prerë se një dokument i tillë nuk ka arritur në NATO.
“NON-PAPER-i, nuk dua të komentoj diçka që se kam parë, por e rëndësishme është se çdo spekulim për ndryshim kufijsh vetëm se do të sjellë më shumë pasiguri dhe jostabilitet në rajon dhe nuk ndihmon. Sa i takon NATO-s, stabiliteti dhe siguria e Ballkanit Perëndimor është e rëndësishme për rajonin, por edhe për paqen dhe stabilitetin e Evropës”.
Për Presidentin e Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovskin, është shumë e rëndësishme se asnjë qeveri evropiane nuk i ka mbështetur këto ide. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ka theksuar se së bashku me Maqedoninë e Veriut, si anëtare fuqiplotë e Aleancës, do të punojnë në agjendën NATO 2030 duke përshëndetur planet e Maqedonisë së Veriut që deri në vitin 2024 të ndajë 2% të Buxhetit për NATO-n.