Ndalimi i rrjeteve sociale, fëmijët në panik
Australia është vendi i parë që ndalon përdorimin e mediave sociale nga personat nën moshën 16 vjeç. Të rriturit e mbështesin këtë, por fëmijët besojnë se ndalimi është një sulm ndaj të drejtave të tyre. Nga e mërkura më 10 dhjetor 2025 kanë nisur të bllokohen të gjithë australianët nën moshën 16 vjeç në rrjetet sociale. Qeveria australiane ka vendosur të bllokojë qasjen e tyre në rjete, pavarësisht kundërshtimeve. Rrjett si Facebook, Instagram, Snapchat, TikTok, X, YouTube dhe Reddit tani duhet të vendosin kufizime moshe, që duhet të përditësohet rregullisht. Pa kufizime mbeten platformat e lojërave online si dhe aplikacionet e mesazheve si WhatsApp.
Qeveria australiane bëri të ditur se vetë kompanitë e mediave sociale dhe prindërit duhet të kujdesen për zbatimin e këtyre rregullave. Në rast të shkeljeve të përsëritura, do të ketë edhe gjoba – do të penalizohen fëmijët dhe prindërit. Mënyrat se si do të zbatohet ndalimi përfshijnë kërkesën që përdoruesit të japin identifikim, njohje të fytyrës ose zërit, ose forma të tjera të identifikimit digjital për të vërtetuar moshën e tyre kur kërkohet.
Zyra e Komisionerit Australian të Sigurisë Elektronike thotë, se ndalimi do t’i mbrojë të rinjtë “nga presionet dhe rreziqet ndaj të cilave mund të ekspozohen kur janë të kyçur në mediat sociale”. Kryeministri Anthony Albanese i ka quajtur mediat sociale një “plagë” dhe ka thënë: “Dua që njerëzit të kalojnë më shumë kohë në fushën e ragbisë ose në fushat sportive sesa në telefonat e tyre”. Sondazhet tregojnë mbështetje të fortë nga të rriturit për ndalimin, por fëmijët mendojnë ndryshe.
Adoleshentët duan ta kundërshtojnë ndalimin në gjykatë
Adoleshentët Macy Newland dhe Noah Jones po e kundërshtojnë ligjin në gjykatën më të lartë të Australisë, duke argumentuar se është jokushtetues dhe po mbështeten nga grupi i të drejtave digjitale Digital Freedom Project. Macy i tha DW-së, se shumica e bashkëmoshatarëve të saj janë kundër ndalimit, duke përmendur mungesën e konsultimit me të rinjtë dhe humbjen e të drejtave dhe aksesit në informacion si shqetësime kryesore.
“Ndalimi i pengon të rinjtë të angazhohen plotësisht në demokraci dhe debat publik para moshës 16 vjeç, gjë që është e gabuar. Nuk mund t’i fuqizosh të rinjtë për t’u angazhuar në debat publik dhe demokraci duke ua hequr atyre aftësinë për të marrë pjesë plotësisht në të”, tha ajo. “Unë besoj fuqimisht se ka probleme me mediat sociale, lojërat dhe kohën para ekranit në përgjithësi. Por nuk ka kthim prapa, nuk mund të mohohet se jetojmë në një shoqëri ku përparimet teknologjike po përshpejtohen dhe ku komunikimi online është pjesë e jetës sonë të përditshme”.
Newland beson se shumica e adoleshentëve do të përpiqen ta anashkalojnë ligjin, siç konfirmohet nga rezultatet e një sondazhi nga transmetuesi kombëtar ABC. Në anketën, nga e cila u pyetën më shumë se 17.000 adoleshentë australianë, 75 përqind thanë se do të përpiqeshin ta anashkalonin ndalimin, nëntë përqind menduan se ishte një ide e mirë dhe vetëm gjashtë përqind thanë se ndalimi do të funksiononte mirë. Ndërsa besohet gjerësisht se qasja e pakontrolluar në mediat sociale mund të jetë e rrezikshme si për fëmijët ashtu edhe për të rriturit, shumica e organizatave për të drejtat e njeriut dhe të drejtat e fëmijëve besojnë se ligji i ri nuk i adreson këto probleme.
Shumë fëmijë ndihen të privuar nga informacioni
UNICEF Australia thotë se “ndryshimet e propozuara nuk do t’i adresojnë problemet me të cilat përballen të rinjtë kur janë online”, ndërsa Komisioni Australian për të Drejtat e Njeriut thotë se një ndalim “gjithëpërfshirës” ka të ngjarë të ketë “pasoja negative për të drejtat e njeriut të fëmijëve dhe të rinjve”. Kim Osman nga Qendra për Kërkime në Median Digjitale në Universitetin e Teknologjisë të Queensland thotë se shumica e fëmijëve ndjehen të margjinalizuar dhe të zhgënjyer nga ky vendim. Osman dhe kolegët e saj zbuluan se adoleshentët janë të vetëdijshëm për rreziqet e mediave sociale dhe duan mbrojtje më të mirë, duke përfshirë filtrim më të mirë të përmbajtjes. Kishte gjithashtu një ndjenjë të fortë se ndryshimet në ligj do të çonin në një “humbje të komunitetit” për të rinjtë, veçanërisht ata që “kanë gjetur burime të rëndësishme mbështetjeje në mediat sociale. Kjo ishte veçanërisht e vërtetë për komunitetin LGBTQ dhe të rinjtë me të cilët folëm.”
Fëmijët me aftësi të kufizuara ndihen të izoluar
Kjo prek një nerv për Jennifer Krauter. Vajza e saj Lily, 12 vjeç, vuan nga paralizë cerebrale, autizëm dhe aftësi të kufizuara të tjera që e bëjnë të vështirë socializimin. Ajo e ka më të lehtë të komunikojë duke dërguar mesazhe në mediat sociale dhe aplikacione të tjera. Jennifer monitoron aksesin e Lily-t në mediat sociale. Pasi publikoi një histori, Lily gjeti një komunitet shkrimi online. Edhe pse Jennifer i pranon rreziqet e mediave sociale, ajo dhe vajza e saj janë të pakënaqura për humbjen e kontaktit që vjen me ndërprerjen e aksesit në mediat sociale. “Për fëmijët me aftësi të kufizuara ose grupe të tjera të margjinalizuara, mediat sociale mund të jenë e vetmja mënyrë për të gjetur njerëz si ata,” tha Jennifer për DW.
Adoleshentët dhe prindërit kanë shprehur shqetësime se fëmijët do të humbasin aksesin në grupe për interesa dhe hobi specifike, si dhe në komunitetet që formohen përreth tyre. Kjo do të prekë veçanërisht pjesët rurale dhe me popullsi të pakët të Australisë, ku është e vështirë të organizohet kontakti i drejtpërdrejtë.
Ministrja e Komunikacionit e Australisë, Annika Wells, pranoi se ndalimi do të ketë probleme në fazat fillestare. Kjo është mbase e pritshme, por për shumë fëmijë dhe adoleshentë australianë, pakënaqësia me ndalimin është e madhe./DW/
KOHA JONË SONDAZH

