Ndjenja e turpit!

Për shkak të gjendjes së jashtëzakonshme nuk na lejojnë që ta varrosim në vendin që i takon, në Stamboll. Kanë caktuar një hapësirë në një vend të quajtur Ballëxha, ku do të varrosen vetëm tradhtarët e kombit.

 Nga HASAN XHEMAL / 

Gokhan Açëkkollu, mësues, 42 vjeç, i martuar dhe baba i dy fëmijëve. E paditin pas 15 korrikut se gjoja është “imami i Stambollit” (ndër krerët e lëvizjes “Gylen” për Stambollit. U ndalua dhe u shoqërua për në Drejtorinë e Policisë së Stambollit. Mirëpo ishte i sëmurë me diabet. Ilaçet ia lejuan vetëm pas tri ditësh. Gjendja e tij u përkeqësua ndjeshëm, por vetëm pas 13 ditësh vendosën që ta shoqëronin për në spital, ku edhe i ka dhënë lamtumirën jetës. Edhe pas vdekjes, familjes së tij nuk ia lejojnë që ta varrosin djalin e tyre në varrezat e zgjedhura prej tyre. Kur mbërrijnë te varrezat e përcaktuara, ç’të shohin: Varrezat për tradhtarët e kombit…

Swiss Digital Desktop Reklama

Klithmat e nënës së tij ishin këto: “Natën e puçit ishte i pari që tha: “s’bën vaki diçka e tillë” dhe shkoi e vari flamurin në ballkon. Nuk ka njeri në botë që ta ketw dashur vendin e tij më shumë se ai. Djali im ishte krejt i pafajshëm. Nuk kemi ku të drejtohemi. Të më japin djalin.

Swiss Digital Mobile Reklama

Kurse i ati e shpreh kundërshtimin e tij me këto fjalë: “Dikush e ka denoncuar djalin tim, se qenka gjoja “imami i Stambollit”. Pse nuk na lënë ta varrosim si njeri i zakonshëm, derisa të dalë “fajtor”.

Nëse del se ka qenë tradhtar i kombit, do të jem unë i pari që do ta dorëzoj. Nuk kam ç’ia dua trupin atëherë. Unë isha ndër ata që rendën për në aeroport atë natë.

Për shkak të gjendjes së jashtëzakonshme nuk na lejojnë që ta varrosim në vendin që i takon, në Stamboll. Kanë caktuar një hapësirë në një vend të quajtur Ballëxha, ku do të varrosen vetëm tradhtarët e kombit.

I varrosin pa ndjekur rregullat islamë, pa i larë dhe pa u falur namazin e xhenazes, sikur të ishin duke mbuluar me dhe ndonjë kërmë.

Ne as nuk e dimë, as nuk e njohim se ç’është FETO-ja (Organizata Terroriste Fetullahiste”.

Njëherë e një kohë ka qenë mësues në shkollat e tyre.

Mirëpo, dikur, edhe presidenti qe gënjyer.

Ndoshta edhe ne jemi gënjyer…

Familja vendos që varrimin ta bëjë në vendlindjen e së shoqes, në qytetin e Konias, por familjes i mohohet shërbimi i transportit të trupit të të ndjerit. “Mirë atëherë, do ta çojmë me një nga makinat tona, të paktën ta kishit pastruar trupin me ilaçet e nevojshme,” – thonë familjarët, por edhe për këtë arrijnë t’i bindin me shumë vështirësi.

Trupi i të ndjerit mbërrin në fshatin Ahërllë të qytetit të Konias, mirëpo kësaj here nuk gjehet dot imam për t’i falur namazin e xhenazes. Sepse nga Komuniteti i Punëve Fetare ka dalë një urdhër që xhenazen e tij nuk do ta falë asnjë prej imamëve të xhamive…

Megjithatë, namazin e xhenazes e merr përsipër ta falë një nga njerëzit e pranishëm. Pjesëmarrja në varrim nuk i është lejuar askujt përveç të familjarëve.

E para që ka reaguar ndaj kësaj ngjarjeje të turpshme ka qenë gazetarja Shebnem Korur Finxhanxhë, e cila është shprehur:

Në muzeun e jetës sonë të turpshme kemi shtuar edhe një tjetër përkufizim:

Varrezat e tradhtarëve!

E di, shumë nga ne nuk e kanë një muze të tillë, sepse nuk kanë as veçorinë e të ardhurit turp!

Nëse do të më pyesnit se cili është çmimi më i rëndë i dhjetëra dhimbjeve që mund të përjetojë një njeri që jeton këtyre anëve, unë do të thosha menjëherë, pa hezituar asfare, se është humbja e ndjenjës së turpit.

Për qindra vjet, çdo vdekje, çdo torturë na e mpaku, pak e nga pak, atë ndjenjë turpi që kemi bartur me vete.

Dashur pa dashur u zhveshëm prej ndjenjës së turpit me vëllain që vret vëllanë e tij, që var këdo që mendon ndryshe, që merr bomba dhe ia hedh popullit të tij, apo që e shenjtëron linçimin si ndjeshmëri sociale.

Sepse nëse dhimbjeve të sotme do t’i shtohen çdo ditë edhe shumë të reja, atëherë tortura do të kthehet në diçka të justifikuar për mbarë shoqërinë; ashtu siç një arrestim është kthyer në gjënë më të zakonshme dhe nuk na ngjan aspak si diçka e huaj, poedhe deklaratat e lëshuara pas vdekjes së dikujt na e shfaqin haptazi se si e kemi shkulur ndjenjën e turpit prej ndërgjegjeve tona e nuk na bën më aspak përshtypje.

Në qerthullin e hetimeve të kryera mbi përpjekjen për grusht shteti, në datën 23 korrik 2016 gazetat njoftojnë se Kryeprokuroria e Stambollit ka arrestuar një mësues të quajtur Gokhan Açëkkollu, i cili në ditën e katërmbëdhjetë të tridhjetë ditëve të kohëzgjatjes së lejueshme të ndalimit nga policia, në datën 5 gusht 2016. Megjithëse zotërues i plotë i të drejtës së ruajtjes së jetës nga ana e shtetit, ai e humb atë nën kontrollin e shtetit.

Sipas lajmeve që mbështeten në deklaratën e Kryeprokurorisë së Stambollit, vërehet fare mirë se kemi të bëjmë me një përgjegjësi tejet të rëndë, siç është ajo e shkeljes së të drejtës së jetës.

Për shembull, fare mirë mund të lindë dyshimi se në përcaktimin “raporti i ndalimit nga ana e policisë në bazë të parimit të 24 orëve, përcaktuar prej Drejtorisë së Antiterrorit pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Stambollit.” duke qenë se nuk ka një procedurë të këtillë kur çështja është pjesë e një hetimi, atëherë edhe dokumentimi i vizitës së kryer nuk është edhe aq i besueshëm, siç nuk mund të jetë edhe diagnostikimi.

Dhe diagnostikimi dhe dokumentimi i tij pa ndjekur standardet e protokollit të Stambollit është një shkelje e ndalimit të ushtrimit të dhunës dhe torturës.

Në vijim të deklaratës së forcave të rendit thuhet: “Gjendja e personit në fjalë është përkeqësuar edhe në datë 28 korrik; ai është çuar në spitalet “112” dhe atë shtetëror, mirëpo ‘në bazë të kontrollit të kryer atje nuk është vërejtur asnjë arsye për ta bërë të pamundur qëndrimin e tij në dhomat e paraburgimit, ndaj edhe është kthyer atje,” – fjalë këto që tregojnë se numri i atyre që e kanë humbur ndjenjën e turpit po rritet sa vjen e më shumë.

Kështu që gjendja e një shoqërie të bjerrur prej turpit që i thotë “po” vijimit të ndalimit të një njeriu, për të cilin bëhet fjalë se bart një sëmundje kronike; privimi nga e drejta e shëndetit dhe fakti që një doktori, i cili zotëron një profesion që nuk përfshihet në mekanizmin e vendimmarrjes, por që ka si profesion ruajtjen e shëndetit fizik dhe shpirtëror të njerëzve, çka përbën kusht për ekzistencën e tyre dhe që lëshon një raport që përmban shprehjen “nuk ka asnjë problem në qëndrimin e tij në paraburgim” është një gjendje tejet e rrezikshme për të ardhmen e popullit tonë.

Megjithatë le të vazhdojmë me deklaratën: “Në datën 5 gusht, pas njoftimit se Gokhan Açëkkollu është përkeqësuar sërish, është vendosur kontrolli i gjendjes së tij prej mjekut ligjor të ngarkuar me detyrë në paraburgim.” Çfarë na tregon kjo? Na tregon që ndërkohë që diagnostikimi i një pacienti duhet bërë sipas të gjitha standardeve etike të diagnostikimit dhe ruajtjes së fshehtësisë së tij nga ana e institucioneve mjekësore, atë e merr përsipër specialisti mjeko-ligjor, sikur të bëhet fjalë për një gjë fare të zakonshme… Të lëmë mënjanë atë që e ka ngarkuar, por jeta jonë po bëhet edhe më e vështirë me këta njerëz të paturp që e pranojnë një detyrë të këtillë.

Ja ku përballemi të gjithë me një grusht shteti edhe më të rëndë, sepse po bëhemi dëshmitarë edhe të dënimit të të afërmve të gjallë të një njeriu që ka humbur jetën.

Familjes po i tregojnë atë tabelë, që edhe pse e paskan hequr, ajo nuk do të na shkulet më kurrë nga kujtesa: “Varreza e tradhtarëve”…

Turpi i grumbulluar gjatë gjithë kohës që nuk dalin në pah shkaktarët e gjithë këtyre dhimbjeve dhe ne nuk përballemi me ata që na turpërojnë gjer në këtë pikë, po merr një përmasë të papërballueshme.

Rruga më e lehtë për t’u çliruar prej kësaj peshe të papërballueshme na duket sikur mund të jetë largimi sa më shumë prej kësaj ndjenje turpi. Pandehim se do të mund t’ia dalim ta jetojmë jetën pavarësisht këtyre dënimeve çnjerëzore dhe fyerjeve më të ulëta, por nuk ia dalkemi dot.

Sa herë që bie mbrëmja, sa herë që mbetemi vetëm për vetëm, ajo ndjenjë që ne pandehim se e larguam disi nga vetja na tërheq edhe më poshtë. Na largon prej njerëzores brenda nesh. Duhet ndjerë turp, duke i dhënë hakun kësaj ndjenje sublime…

T24.com.tr

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A veproi mirë Rama me ndryshimet në qeveri?