Në Europë edhe elitat, edhe populistët kanë dështuar

Nga Ivan Krastev

Eshtë një moment “force madhore” në Evropë. Në Francë, protestuesit “jelekëverdhë” po djegin makina dhe shkatërrojnë dyqane, duke akuzuar Presidentin Emmanuel Macron, njeriun e dashur të progresistëve pro-evropianë, për një arrogancë alla Mari Anguanetë dhe mungesë respekti për shqetësimet e njerëzve të zakonshëm. Në Mbretërinë e Bashkuar, dështimi për të arritur një marrëveshje mbi Brexit është kthyer në tragjedi kombëtare. Disa ditë më parë, në një letër të hapur drejtuar bashkatdhetarëve, Kryeministri holandez Mark Rutte arrinte në përfundimin se Britania kishte “rrëzuar vazon”, duke prishur kështu unitetin delikat të vendit. Ai i krahasonte politikanët që nxisin përçarje, me “baballarët e futbollistëve që bërtasin nga vija anësore”, pa menduar për pasojat e atyre që thonë.

Përse udhëheqësit meritokratë si Macron janë kaq të kritikuar, në një kohë kur sfidat e botës kërkojnë ekspertizën e tyre më shumë se kurrë, është një pyetje që më ka munduar prej pak kohësh. Por ajo pyetje të çon tek një tjetër: Përse vallë populistët, të zgjedhur gjatë një valë zemërimi kundër elitave, gjithashtu kanë dështuar që të rikthejnë besimin e njerëzve tek politika? Agjendat e tyre nacionaliste ia kanë dalë vetëm të polarizojnë shoqëritë e tyre.

Siç e shpjegoi Macroni në nëntor, gjatë festimeve të njëqind-vjetorit të fundit të Luftës së Parë Botërore, ushtarët që mbrojtën “vlerat universale” të Francës 100 vjet më parë, gjithashtu po linin mënjanë “egoizmin e kombeve që shihnin vetëm interesat e veta. Sepse patriotizmi është ekzaktësisht e kundërta e nacionalizmit”. Por është ekzaktësisht ky “egoizëm” që shpjegon dështimin e elitave, jo vetëm në frenimin e nacionalizmit, por gjithashtu parashtrimin e një alternative – pra në vërtetimin e “patriotizmit” të tyre.

“Forcë madhore” është një koncept ligjor që të kejon të dalësh nga një detyrim kontraktual, në rrethana të jashtëzakonshme. Eshtë njëkohësisht emri i filmit të Ruben Ostlund, një komedi e zezë për një çift profesionistësh që shkojnë me fëmijët e tyre në një rezort për ski të sërës së lartë, diku në Alpet franceze, dhe përballen me një “traumë” të papritur që e ndryshon një herë e përgjithmonë marrëdhënien e tyre. Gjithçka shkon në mënyrë të përsosur deri kur familja, ndërkohë që shijon rrezet e diellit në një restorant të hapur malor, sheh një ortek që po vjen drejt tyre. Vala e madhe e dëborës mbështjell restorantin. Dhe pa menduar, babai ikën, duke e braktisur familjen që të shpëtojë veten. Pa kaluar shumë, të gjithë kuptojnë se është një alarm fals ‘ ishte një “ortek i kontrolluar” që kish dalë pak nga kontrolli. Askush nuk lëndohet. Babai rikthehet dhe sillet sikur asgjë e rëndësishme të mos ketë ndodhur, por nëna është e zemëruar. Pjesa tjetër e udhëtimit të tyre mbetet e njollosur prej momentit të egoizmit instiktiv të babait dhe refuzimit të tij për të pranuar fajin.

Filmi i Ostlund është një analogji e përsosur për arsyen pse elitat meritokratike kanë humbur besimin e njerëzve. Kolapsi i Lehman Brothers ishte “orteku i kontrolluar” i botës dhe më të mirët e më të mençurit ia mbathën – shpejt e shpejt – për të shpëtuar paratë dhe bankat e tyre, duke harruar njerëzit që kishin nevojë për ndihmën e tyre. Nuk kanë pushuar asnjëherë së mohuari që të kenë vepruar kështu. Dhe si pasojë, për të mos u habitur, shumica e njerëzve e kanë parë elitën meritokratike si një elitë mercenare, gjithnjë e gatshme t’ia mbathë nga tryeza. Atyre u mungon fjala “sakrificë” në fjalorin e tyre. Ata nuk i përkasin komunitetit, por duan të respektohen, të admirohen dhe të duhen.

Populistët nga ana tjetër nuk ofrojnë një alternativë reale dhe as nuk janë egalitarianë. Joshja prej tyre bazohet në faktin që ata premtojnë të rishtetëzojnë elitat dhe t’i lidhin ato pas karrikes. Por ajo që kanë arritur në të vërtetë populistët, janë vendet e polarizuara dhe të paqeverisëshme. Republika e qytetarëve është shndërruar në një republikë tifozësh, ku i vetmi detyrim qytetar që kanë është të bëjnë tifozllëk për ekipin e tyre – dhe të urrejnë gjithë të tjerët.

Fansat adhurues dhe jo qytetarët me mendje kritike, janë faktori kryesor në mënyrën se si populizmi ka transformuar demokracitë tona. Qytetarët janë të përkushtuar ndaj vendit të tyre, por besnikëria e tyre është e kushtëzuar dhe kritike. Në fakt, gatishmëria e tyre për të kritikuar dhe korrigjuar gabimet e qeverisë është një shenjë e patriotizmit të tyre. Qytetarët janë të gatshëm të sfidojnë qeverinë e tyre, nëse besojnë që ajo po tradhëton parimet e vendit. Ndërsa besnikëria e tifozëve është dogmatike, arrogante, agresive dhe jokritike. Thirrjet e tyre mbështetëse reflektojnë ndjenjën e tyre të përkatësisë. Reflektimi kritik zëvendësohet prej patriotizmit. Ata që refuzojnë të bëjnë tifozllëk klasifikohen si tradhëtarë potencialë. Partitë populiste ia dalin të përfaqësojnë një pjesë të shoqërisë, me koston e injorimit të pjesës tjetër të shoqërisë. Partitë populiste nuk ndjejnë detyrim të përfaqësojnë njerëzit që nuk i pëlqejnë, edhe nëse janë qytetarë të të njëjtit vend. Ata nuk e kanë fjalën “kompromis” në fjalorin e tyre.

Atëherë, kujt i besojnë njerëzit, nëse nuk përçmojnë meritokratët dhe shpërfillin populistët? Përgjigja, bazuar në sondazhe, është e mistershme: sot, ushtria rezulton të jetë institucioni më i besuar në shumicën e vendeve evropiane. Me gjasë, nuk ndodh as prej ndonjë fitoreje të lavdishme të kohëve të fundit, as sepse evropianët e duan luftën.

Besimi i publikut tek elitat ushtarake mund të shpjegohet prej faktit që ato janë të vetmet që nuk kanë një klauzolë “force madhore” në kontratën e tyre. Që ushtria të shërbejë, duhet të sakrifikohet për të tjerët. Pikërisht këtë presin njerëzit nga elitat.

Nëse udhëheqësit si Macron duan t’i kundërvihen përçarjes së nacionalizmit, që mbërthen vendet e tyre, ata duhet të rifitojnë besimin e publikut. Dhe që ta bëjnë këtë, duhet të lidhin duart e tyre pas tryezës, për të vërtetuar se, kur të godasë orteku, nuk do ia mbathin.

Ivan Krastev është president i Qendrës për Strategji Liberale në Sofie./The Washington Post – Bota.al

SHKARKO APP