Në radhë për ushqim
Më shumë se 1.000 persona u vunë në radhë për të përfituar ndihma ushqimore në Gjenevë, duke risjellë në vëmendje ndikimin që coronavirus ka pasur në jetesën e shtresës së varfër dhe emigrantëve edhe në Zvicrën e pasur. Vargu më i gjatë se një kilometër ishte i vendosur jashtë një piste patinazhi të qytetit, ku vullnetarët shpërndanë pako falas me ushqime, ndërsa njerëzit kishin filluar grumbullimin që në orët e para të mëngjesit.
“Teknikisht jam e papunë, ndaj në fund të muajit, xhepat e mi do të jenë bosh. Kemi fatura për të paguar. Dhe nuk jam vetëm unë, janë të gjithë. Shpërndarja e ushqimit është diçka e mirë, sepse do të më ndihmojë për këtë javë, por javën e ardhshme nuk e di”,-tha Ingrid Berala, banore në Gjenevë, e ardhur nga Nikaragua.
Në një komb me popullsi afro 8.6 milionë, Zvicra numëronte 660.000 të varfër në vitin 2018. Shumica e tyre ishin prindër të vetëm ose persona me nivele të ulëta edukimi, të cilët nuk kishin mundur të gjenin punë. Sipas Bankës Zvicerane, Gjeneva është qyteti i dytë më i shtrenjtë për të jetuar një familje me tre persona, ndërsa para saj renditet Zyrihu. Edhe pse të ardhurat mesatare në Zvicër kanë një nivel të lartë, kjo nuk i ndihmon aspak personat të cilët e mbyllin muajin me vështirësi.