Netanyahu: Të ndërmerren “veprime të forta” pas raportimeve për sulme të Hamasit ndaj IDF-së
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu i dha sot udhëzime ushtrisë që të ndërmerrte “veprime të forta” kundër objektivave terroriste në Rripin e Gazës, pas raportimeve për sulme nga Hamasi ndaj trupave izraelite.
Zyra e Netanyahut tha se kreu i qeverisë e kishte marrë këtë vendim pas konsultimeve me ministrin e Mbrojtjes, Israel Katz dhe zyrtarët e sigurisë.
Ushtria izraelite tha se terroristët kishin lëshuar një raketë antitank dhe kishin qëlluar me armë zjarri ndaj ushtarëve – që po punonin për të “çmontuar infrastrukturën terroriste në zonën e Rafahut” – në përputhje me marrëveshjen e armëpushimit.
“Në përgjigje, IDF, Forcat Mbrojtëse të Izraelit, kanë filluar sulmet në zonë për të eliminuar kërcënimin dhe për të shkatërruar boshtet e tuneleve dhe strukturat ushtarake të përdorura për aktivitet terrorist”, tha ushtria.
“Këto veprime terroriste përbëjnë një shkelje të hapur të marrëveshjes së armëpushimit dhe IDF do të përgjigjet me vendosmëri”, sipas deklaratës.
Media izraelite raportoi më herët se avionët izraelitë kishin sulmuar objektivat pranë Rafahut, në jug të Rripit të Gazës.
Një zyrtar i lartë ushtarak izraelit fajësoi Hamasin për sulmet ndaj ushtarëve izraelitë.
“Të dy incidentet ndodhën në një zonë të kontrolluar nga Izraeli, në lindje të vijës së verdhë”, tha ai, duke iu referuar vijës në të cilën trupat izraelite u tërhoqën më 10 tetor, kur hyri në fuqi marrëveshja aktuale e armëpushimit.
Pas raportimeve, një zyrtar i lartë i Hamasit tha se grupi mbetet i përkushtuar ndaj armëpushimit.
Izzat al-Rishek, një anëtar i Hamasit, akuzoi Izraelin për shkelje të armëpushimit dhe për fabrikim të “preteksteve të dobëta” për të justifikuar krimet e tij.
Al-Rishek akuzoi Netanyahun se po përpiqej t’i shmangej përgjegjësive të tij ndaj ndërmjetësve të armëpushimit – për shkak të presionit të ushtruar nga partnerët e tij të koalicionit të krahut të djathtë.
ATSH
KOHA JONË SONDAZH

