Nga burgu kandidat për president
Nuk e kishte menduar se nga izolimi do të kërkonte një mandat tjetër presidencial. Ish-presidenti i Brazilit, Lula da Silva do të kandidojë sërish në zgjedhjet presidenciale të Tetorit të këtij viti.
71-vjeçari ndodhet në burg, ku sapo ka filluar të vuajë një dënim prej 12 vitesh heqje lirie, për shkak të disa akuzave për korrupsion, Partia e Punëtorëve në Brazil konfirmoi se do të jetë pikërisht Lula da Silva kandidati i saj për presidencialet.
Vendimi është konfirmuar zyrtarisht gjatë një mbledhjeje të ekzekutivit kombëtar të partisë, në shtetin e Paranas, ku ndodhet dhe burgu ku ish-presidenti po kryen dënimin e tij që nga e shtuna e kaluar.
Kryesia e partisë së Punëtorëve në Brazil konfirmoi edhe njëherë qëndrimin e saj se Lula nuk ndodhet në burg se është fajtor, por sepse është një kandidat shumë i fortë dhe rivalët e kanë frikë.
Ish-presidenti brazilian u shpall fajtor nga një gjykatë gjatë javës së kaluar, ndërsa u dërgua në burg të shtunën në mbrëmje, pavarësisht se vendimi është apeluar. Lula nuk e pranoi asnjëherë të jetë i përfshirë në afera korruptive, teksa ka këmbëngulur se kjo është një lëvizje e rivalëve të tij, për të penguar kandidimin në zgjedhjet e ardhshme.
Lula Da Silva u bë president i Brazilit në Janar të 2003-shit dhe drejtoi vendin deri në 2011-ën, duke u mbajtur mend si Presidenti që bëri nëj sërë reformash ekonomike dhe nxorri nga varfëria ekstreme miliona brazilianë.
KOHA JONË SONDAZH

