Nga sot, gratë saudite do të mund të udhëtojnë jashtë pa lejen e një mashkulli
Gratë në Arabinë Saudite tani mund të udhëtojnë jashtë vendit pa lejen e një kujdestari mashkull, sipas dekretit më të fundit të firmosur nga mbreti.
Bazuar në rregullin e ri të shpallur të premten, gratë mbi moshën 21 vjeç mund të aplikojnë për pasaportë pa autorizim nga një kujdestar mashkull.
Të gjithë të rriturit tani mund të aplikojnë për një pasaportë dhe të udhëtojnë, duke i vendosur gratë në një pozitë të barabartë me burrat.
Dekretet mbretërore gjithashtu u japin grave të drejtën për të regjistruar lindjen, martesën ose divorcin e fëmijëve.
Ato gjithashtu mbulojnë rregulloret e punësimit që zgjerojnë mundësitë e punës për gratë. Sipas rregullit, të gjithë qytetarët kanë të drejtë të punojnë pa u përballur me ndonjë diskriminim të bazuar në gjini, paaftësi ose moshë.
Deri më tani, grave saudite u është dashur të kërkojnë leje nga një kujdestar mashkull – burri, babai ose ndonjë i afërm tjetër për të marrë një pasaportë ose për të udhëtuar jashtë vendit.
Princi i kurorës së Arabisë Saudite, Mohamed bin Salman ka lehtësuar kufizimet në vend siç është ndalimi i vozitjes së makinave për gratë.
Në vitin 2016, ai zbuloi një plan për të transformuar ekonominë deri në vitin 2030, me qëllim rritjen e pjesëmarrjes së grave në fuqinë punëtore në 30% nga 22% që ishte.
Sidoqoftë, ka pasur disa raste të profileve të larta të grave që kërkojnë azil në vende të tilla si Kanadaja, duke përmendur pretendimet e shtypjes gjinore.
Në janar, Kanadaja i dha azil 18-vjeçares Rahaf Mohamed al-Qunun. Ajo iku nga Arabia Saudite dhe u përpoq të shpëtonte në Australi.
Ajo u mbyll në një dhomë hoteli në aeroportin e Bangkokut, ku apeloi për ndihmë ndërkombëtare.
Grupet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut shpesh kanë pohuar se gratë trajtohen si qytetare të klasit të dytë në vend.