Ngjarjet kryesore në 2024, sipas “The Economist” – Zgjedhje që prekin 4.2 mld njerëz dhe ndryshim i pushteteve energjetike
Jeta ikën me shpejtësi, pavarësisht ngarjeve që ndodhin, qofshin këto konflikte të armatosura, rivizatimi i hartës globale të burimeve të energjisë, apo përparimi i shpejtë i inteligjencës artificiale (AI). Bota po ndryshon me shpejtësi marramendëse. Nga situata në Lindjen e Mesme, adoptimi i automjeteve elektrike e deri te trajtimi i obezitetit, gjërat duken shumë ndryshe, krahasuar me mënyrën se si i shikonim një apo dy vjet më parë. The Economist ka listuar 10 prej ngjarjeve kryesore, që pritet të shoqërojnë botën gjatë vitit 2024.
- Zgjedhjet!
Zgjedhjet anembanë botës, për shumë njerëz, do të sjellin në vëmendje gjendjen globale të demokracisë. Do të jenë më shumë se 70 palë zgjedhje në vitin 2024, në vendet ku jetojnë rreth 4.2 miliardë njerëz, dhe për herë të parë preket rreth gjysma e popullsisë së botës. Por ndërsa ka më shumë votime se kurrë më parë, jo domosdoshmërisht ka më shumë demokraci, pasi shumë zgjedhje nuk do të jenë as të lira dhe as të drejta.
- Zgjedhet në Amerikë, me efekte globale
Votuesit dhe gjykatat do të japin verdiktet e tyre për Donald Trump, i cili ka 1 në 3 shanse për të rifituar presidencën. Rezultati mund të përcaktohet nga disa dhjetëra mijëra votues, në një pjesë të vogël të shteteve. Por pasojat do të jenë globale, duke prekur gjithçka, nga politikat e klimës e deri tek mbështetja ushtarake për Ukrainën. Në të vërtetë, manipulimi i zgjedhjeve në Rusi mund të nënkuptojë se fati i Vladimir Putin varet më shumë nga votuesit amerikanë sesa nga ata rusë.
- Europa duhet të ringrihet
Për arsyet e mësipërme, Europa duhet të shpejtojë dhe t’i sigurojë Ukrainës mbështetjen ushtarake dhe ekonomike të nevojshme për një luftë të gjatë, ndërsa të përcaktojë një rrugë drejt anëtarësimit përfundimtar në Bashkimin Europian. Kjo është gjëja e duhur për t’u bërë, dhe njëkohësisht të marrë masat e nevojshme për të qënë e përgatitur nëse Trump rimerr pushtetin dhe tërheq mbështetjen për Ukrainën.
- Trazirat në Lindjen e Mesme
Sulmi i Hamasit ndaj Izraelit dhe hakmarrja e Izraelit kundër Gazës, kanë përmbysur qetësinë në rajon dhe kanë hedhur poshtë idenë se bota mund të vazhdojë të injorojë gjendjen e vështirë të palestinezëve. A do të kthehet në një konflikt më të gjerë rajonal, apo do të ofrojë një shans të ri për paqe? Për Amerikën, superfuqinë globale, kjo është gjithashtu një provë nëse mund të përshtatet me një botë më komplekse dhe kërcënuese.
- Bota, përballë një çrregullimi multipolar
Plani i Amerikës për t’u kthyer në Azi dhe për t’u fokusuar më shumë në rivalitetin e saj me Kinën, është zbehur nga lufta në Ukrainë dhe tani në Gaza. Rusia, gjithashtu, është e hutuar dhe po humbet ndikimin. Konfliktet e ngrira po shkrihen dhe luftërat e ftohta lokale po nxehen në mbarë botën. Paqëndrueshmëria në rajonin e Sahel në Afrikë po rritet. Bota po përgatitet për më shumë konflikte tani që “momenti unipolar” i Amerikës ka përfunduar.
- Një tjetër luftë e ftohtë
Ndërkohë që rritja ekonomike në Kinë është ngadalësuar, tensionet rriten mbi Tajvanin dhe Amerika vazhdon të kufizojë aksesin kinez në teknologjitë e avancuara, retorika e “luftës së re të ftohtë” është ngurtësuar. Por kompanitë perëndimore që përpiqen të reduktojnë varësinë e zinxhirëve të tyre të furnizimit nga Kina do ta kenë shumë më të lehtë ta thonë sesa ta bëjnë këtë gjë. Ndërkohë, të dyja kampet do të tërheqin “fuqitë e mesme”, jo vetëm për burimet e tyre të gjelbra.
- Një gjeografi e re energjetike
Tranzicioni drejt energjisë së pastër po krijon superfuqi të reja të gjelbra dhe po rivizaton hartën e burimeve të energjisë. Litiumi, bakri dhe nikeli kanë shumë më tepër rëndësi, ndërsa nafta dhe gazi, dhe rajonet që dominojnë furnizimin e tyre, kanë më pak rëndësi. Konkurrenca për burimet e gjelbra po riformëson gjeopolitikën dhe tregtinë, dhe po krijon disa fitues dhe humbës të papritur. Ndërkohë, një luftë është duke u zhvilluar mes votuesve që i konsiderojnë politikat miqësore me klimën si një komplot elitar kundër njerëzve të zakonshëm.
- Paqartësitë ekonomike
Ekonomitë e zhvilluara dolën më mirë se sa pritej në vitin 2023, por nuk janë ende në kapacitet të plotë, pasi normat e interesit do të qëndrojnë “të larta për një kohë më gjatë” dhe do të jenë të dhimbshme për kompanitë dhe konsumatorët, edhe nëse shmangen recesionet. Më në rrezik është Kina, që mund të përballet me një deflacion.
- Inteligjenca Artificiale bëhet realitet
Bizneset po e adoptojnë Inteligjencën Artificiale, rregullatorët po e rregullojnë dhe teknikët vazhdojnë ta përmirësojnë. Debati do të intensifikohet mbi qasjen më të mirë rregullatore dhe nëse argumentet mbi “rrezikun ekzistencial” janë një mashtrim, nga i cili përfitojnë pushtetarët. Përdorimet dhe abuzimet e papritura do të vazhdojnë të shfaqen. Shqetësimet janë të shumta për efektin e Inteligjencës Artificiale në vendet e punës dhe potencialin për ndërhyrje në zgjedhje. Ndikimi i tij më i madh deri më tani? Kodim më i shpejtë.
- Një botë e bashkuar
Ndoshta dallimet ideologjike do të lihen mënjanë ndërsa bota do të shijojë Lojërat Olimpike të Parisit, astronautët që rrotullohen rreth Hënës, Kampionatin Europian të Futbollit, apo Kupën e Botës në kriket. Gjasat janë të pakta, por ka edhe nga ata që shpresojnë për një unitet global.
Lidion Kulla / SCAN
Material i përgatitur nga portali Sctan TV