“Ngrin” Greqia nga moti i keq, situata më e rënduar në zonat malore

Moti i ftohtë ka përfshirë Greqinë duke sjellë dëborë, stuhi ere dhe temperatura shumë të ulëta nën zero.

Meteorologët dhanë alarmin për të ftohtin e acartë, duke paralajmëruar qytetarët të përgatiten për më të keqen.

Situata më e rënduar është në zonat malore ku Ministria e Transporteve greke ka mbyllur të gjitha autostradat dhe u ka bërë thirrje banorëve të këtyre zonave të përdorin rezervat dhe të shmangin daljen nga shtëpia.

Qeveria greke ka bashkëpunuar me organizatat joqeveritare për ti mbajtur qendrat e pritjes 24 orë për të strehur të pastrehët.

Këto qendra vitet e fundit kanë përfituar më shumë fonde për shkak edhe të situatës së rënduar ekonomike, e cila ka rritur numrin e të varfërve.

Vetë qeveria ka hapur dy qendra pritje dhe ka siguruar batanije, dyshekë, çaj dhe ushqim për të pastrehët.

Ndërkohë ekipet e vullnetarëve kanë dalë në rrugë për të ofruar ushqim të ngrohtë, veshje dhe ilaçe për ta.

Sipas meteorologëve vala e të ftohtit të acartë pritet të zgjasë të paktën 3 ditë dhe temperaturat pritet të rriten të enjten.

SHKARKO APP