Ngrohja globale, ekspertët japin alarmin: 250 site të rëndësishme natyrore në rrezik
Një raport voluminoz i botuar këtë fundvit prej një grupi të ekspertëve ndërkombëtarë për Ruajtjen e Natyrës, ka dal në përfundimin se për 250 site të rëndësishme natyrore të Trashëgimisë Botërore, një e treta e tyre përballen me një kërcënim të fortë nga ndryshimet e klimës.
Barriera e madhe koralore, në brigjet e Queenslandit, në Australi është në rrezik për shkak të ndryshimeve klimatike, shkruan një raport i fundit i UNESCO-s. Kjo mrekulli e natyrës është sistemi më i madh koralor në botë, i përbërë nga mbi 2.900 shkëmbinj nënujorë dhe 900 ishuj që shtrihen për mbi 2300 kilometra, është pjesë e Trashëgimisë Botërore.
Raporti i disa ekspertëve ndërkombëtarë për Ruajtjen e Natyrës për 250 site të rëndësishme natyrore të Trashëgimisë Botërore zbuloi se një e treta e tyre përballen me një kërcënim të fortë nga ndryshimet e klimës.
Ndikimet e rritjes së temperaturave te shkrirja e akullnajave, zjarret dhe thatësira kanë ndikuar shumë tek këto site të rëndësishme natyrore. Zyrtarët kanë theksuar se nevojitet ndërhyrje urgjente për ta mbrojtur atë.
Shkencërisht, ekspertët argumentojnë se ngrohja e oqeanit ka ndikuar që deti të bëhet më acid, teksa dioksidi i karbonit i tepërt shpërndahet në ujë dhe moti ekstrem ka kontribuar në rënien dramatike të koraleve dhe rënien e popullatave të specieve detare.
Ndryshimi i klimës mund të përkeqësojë edhe site të tjera që tashmë janë të kërcënuar, siç janë pyjet e shiut në Ishujt Kanarie të Spanjës, ku speciet që kanë nevojë për hije dhe lagështi po tërhiqen për shkak të motit më të thatë, duke lënë zonat e hapura për speciet invazive; Zonat e mbrojtura të Afrikës së Jugut, ndryshimi i klimës ka përkeqësuar gjithashtu përhapjen e specieve invazive, ndërsa pyjet e Brazilit u dëmtuan rëndë nga zjarret vitin e fundit.
Edhe Ishujt Galapagos të Ekuadorit që frymëzuan natyralistin Charles Darwin, janë të kërcënuar nga ndryshimet klimatike. Ekspertët e mbyllin raportin e tyre duke shkruar se ai sinjalizon urgjencën me të cilën ne duhet të trajtojmë së bashku sfidat mjedisore në shkallë planetare.