Nis tërheqja e trupave kurde nga Siria
Luftëtarët kurdë kanë filluar të tërhiqen nga Siria veriore.
Në ditën e tretë të pesë ditëve armëpushim të rakorduar mes Turqisë dhe Shteteve të Bashkuara, militantët e YPG kanë braktisur zonën nën rrethim Ras al Ayn, ku deri më tani kishin vijuar të përplaseshin me milicitë lokale pro turke, në pararojë të ofencivës së lancuar më 9 tetor nga ushtria e Recep Tayip Erdogan.
“Nuk kemi më luftëtarë në qytet”, ka siguruar një komandant i forcave demokratike siriane.
Tërheqja drejt jugut është konfirmuar edhe nga Ankaraja që thotë se të paktën 86 mjete janë larguar, e po ashtu edhe nga observatori sirian për të drejtat e njeriut.
Sidoqoftë, në vazhdim pritet tërheqja edhe nga zona të tjera, përfshirë të ashtuquajturën zonë e sigurt. Pas pritjes së gjatë të autokolonave mjekësore pranë Ras Al Ayn, është hapur edhe një korridor humanitar për evakuimin e civilëve dhe të plagosurve. Në këtë mënyrë zhbllokohet impasi në zonën më të kontestuar të kufirit ndërkohë që afron edhe fundi i armëpushimit.
Sidoqoftë, edhe të dielën ka patur akuza të ndërsjellta për shkelje të armëpushimit ndërkohë që rriten pritshmëritë për takimin e të martës mes Erdogan dhe presidentit rus, Vladimir Putin, në Sochi, ku pak orë para përfundimit të armëpushimit do të diskutohet fati i zonave të tjera të kontestuara në veri të Sirisë, mes të cilave Kobane dhe Manxhib, në duart e Moskës dhe Damaskut.
Turqia kërkon që edhe prej tyre të tërhiqen milicitë kurde. Trupat amerikane ndërkohë kanë përfunduar tërheqjen nga veriu i Sirisë dhe më shumë se 700 ushtarë amerikanë kanë kaluar tashmë kufirin me Irakun.