Një ditë para zgjedhjeve, Trump-Biden japin mesazhet e fundit
Gara për presidencën amerikane ka hyrë në orët finale dhe demokrati Xho Bajden vazhdon të kryesojë sondazhet me gati 8 për qind avantazh mbi rivalin republikan, presidentin Donald Tramp.
Mbi 90 milionë amerikanë e kanë hedhur paraprakisht votën për kandidatin e preferuar.
Më shumë se 65 për qind e demokratëve mendohet se e kanë bërë zgjedhjen e tyre, ndërsa presidenti Tramp shpresën e vetme për revansh e ka te gati 70 për qind e votuesve republikanë që raportohet se po presin 3 nëntorin për t’iu drejtuar kutive të votimit.
Pikërisht për të bindur të lëkundurit, presidenti 74-vjeçar zhvilloi të dielën pesë tubime të njëpasnjëshme elektorale në pesë shtetet ku pritet të zhvillohen betejat më të forta politike.
Tramp tha se këtë vit zgjedhja bëhet mes ëndrrës amerikane që ai përfaqëson dhe makthit socialist, mes rritjes së madhe ekonomike dhe depresionit që do të sjellë rivali i tij.
“Vota për Bajdenin është votë për izolim nga pandemia, për largime nga puna dhe mjerim. Nëse doni vaksinën që vret virusin, një punë që të mbani familjen dhe lirinë për të jetuar, atëherë hidheni votën për burrin me emrin Trump.”
Ndërkohë ish-zv.presidenti Bajden premtoi se si kryetar shteti ai do shërbejë pa bërë dallim mes krahëve politikë, do adresojë situatën shëndetësore me koronavirusin, sistemin e padrejtë fiskal dhe do i japë zgjidhje padrejtësive që përball komuniteti afroamerikan në vend.
“Ne zgjedhim shpresën para frikës, unitetin para përçarjes, shkencën para fantazisë dhe zgjedhim të vërtetën para shumë gënjeshtrave që Trampi përsërit vazhdimisht. Është koha të ngrihemi dhe të rimarrim kontrollin e demokracisë tonë.”
Analistët parashikojnë që presidentin e ardhshëm të Amerikës do e përcaktojnë rezultatet e votimeve në 11 shtete të lëkundura, mes tyre Teksasi, Pensilvania, Arizona dhe Miçigani.
Deri tani ka pasur interesim të madh qytetar për garën dhe nga votimet paraprake rezulton se është kaluar gati 65 për qind e pjesëmarrjes totale në zgjedhjet e vitit 2016.