Një ditë pas sulmit në Maqedoni

 

Në rajonin e komunës së Likovës po mbretëron një situatë e qetë, por me një prani më të shtuar policore.

Incidenti i djeshëm në zonën kufitare Maqedoni– Kosovë, kur një grup i armatosur mori nën kontroll postën kufitare policore në fshatin Goshincë, ka shtuar tensionet dhe mëdyshjet tek qytetarët se çfarë po ndodh në të vërtetë, duke qarkulluar informacione kontradiktore.

Policia theksoi se bëhet fjalë për një sulm terrorist ndaj institucioneve të sigurisë dhe se ajo është në kërkim të personave që kanë ndërmarrë sulmin dhe kontrollin e postës, e cila u la e lirë pas disa orësh.

Lidhur me këtë sulm dje organizata e vetëquajtur UÇK, përmes një komunikate shpërndarë mediave, mori përsipër sulmin, por duke mos dhënë detaje dhe zbuluar identitetin e tyre.

Dy partitë e koalicionit VMRO-DPMNE dhe BDI kanë dhënë komente dhe vlerësime kontradiktore mbi incidentin. VMRO këtë akt e quajti sulm terrorist, kurse BDI ka theksuar se sulmi dëmton agjendën e shqiptarëve dhe kërkon siguri dhe izolimin e këtyre grupeve edhe përmes aktiviteteve rajonale, duke nënkuptuar Kosovën.

Partia opozitare maqedonase LSDM ka akuzuar se incidenti është skenar i pushtetit me qëllim shmangien e pushtetarëve nga përgjegjësia penale, pas aferës së pëgjimeve për skandale korruptive dhe kriminale./INA

SHKARKO APP