Një e prekur nga Covid-19 ”ngre institucionet në këmbë”
Në shtet i cili është vetëm 130 kilometra nga Kina, aty ku u raportuan rastet e para me Covid-19, mund të cilësohet si shembulli më i mirë i menaxhimit të pandemisë. Është fjala për Tajvanin, shtetin me më shumë se 23 milionë banorë, i cili pas një viti nga shpallja e pandemisë ka vetëm 985 raste të konfirmuara, 869 prej të cilave janë klasifikuar të importuara. Vetëm 10 persona kanë ndërruar jetë, ndërsa aktualisht 25 janë të shtruarit në spital.
Këtë të diel, në Tajvan u dha “alarmi”, pasi një vajzë 20-vjeçare kishte rezultuar pozitive me koronavirus. Zbulimi i rastit dhe trajtimi i saj nuk lë asnjë mundësi për përhapje të virusit. Vajza nga Afrika e Jugut ishte futur në Tajvan më 19 shkurt dhe menjëherë, po ashtu si të gjithë personat e tjerë, ishte vendosur në karantinë, të siguruar nga qeveria.
Ajo ishte testuar dy herë dhe në të dy rastet kishte rezultuar negative, ndërsa në testin e tretë, rezultatet e të cilin u bënë publike këtë të diel, ajo rezultoi pozitive. 20-vjeçarja është asimptomatike, por së bashku me një person tjetër me të cilin kishte pasur kontakte, u vendosën menjëherë në karantinë, ku do të qëndrojnë deri sa tamponët e tyre të rezultojnë negativë.
Ekspertët thonë se Tajvani ka arritur të mbajë larg Covid-19 përmes masave të marra herët, me një strukture të shkëlqyer komanduese, përvojë e fituar nga epidemitë e mëparshme dhe komunikim transparent me qytetarët.