Një oligark dhe ish-zyrtarë, Uashingtoni vë sanksione për korrupsion ndaj disa shtetasve bullgarë me ndikim
Zyra e Kontrollit për Pasuritë e Huaja e Departamentit të Thesarit vuri sanksione të mërkurën ndaj tre shtetasve bullgarë dhe 64 subjekteve të lidhura me ta për përfshirje në korrupsion.
Qeveria amerikane beson se korrupsioni dëmton sundimin e ligjit, ekonominë dhe rritjen e saj, minon institucionet demokratike, nxit konfliktet dhe u mohon qytetarëve të pafajshëm të drejtat themelore të njeriut.
Në bazë të Ligjit Magnitsky, Departamenti i Thesarit ka vënë sanksione ndaj biznesmenit dhe oligarkut të njohur bullgar Vassil Kroumov Bojkov, ish-deputetit Delyan Slavchev Peevski dhe ndaj ish-Zëvendës Shefit të Agjencisë Shtetërore Bullgare për Operacionet Teknike Ilko Dimitrov Zhelyazkov i cili u emërua në Byronë Kombëtare për Kontrollin e Pajisjeve të Mbjedhjes së të Dhënave të Zbulimit. Po ashtu sanksione janë vënë edhe ndaj kompanive në pronësi apo të kontrolluara nga këta individë.
Po sot, Departamenti i Shtetit ka përcaktuar shtetasit Peevski dhe Zhelyazkov, mes të tjerësh, në bazë të nenit 7031(c) i ligjit për Financimin e Departamentit të Shtetit, Operacioneve Jashtë Vendit dhe Programeve që kanë lidhje me to, si rezultat i përfshirjes së tyre në korrupsion të niveleve të larta.
Në njoftimin e Departamentit të Shtetit thuhet se ish-zyrtarët e sektorit publik bullgar Alexander Manolev, Petar Haralampiev, Krasimir Tomov, Delyan Slavchev Peevski si dhe zyrtari aktual Ilko Dimitrov Zhelyazkov, përcaktohen publikisht si rezultat i përfshirjes së tyre në korrupsion të thellë.
Gjatë kohës që Alexander Manolev ka shërbyer në postin e Zëvendës Ministrit të Ekonomisë, Haralampiev në postin e Drejtorit të Agjencisë Shtetërore për Bullgarët Jashtë Vendit dhe Tomov në postin e Kryesekretarit të Agjencisë Shtetërore për Bullgarët Jashtë Vendit, ata janë përfshirë në akte korruptive që kanë minuar sundimin e ligjit dhe besimin e popullit bullgar tek institucionet demokratike, duke përdorur ndikimin e tyre politik dhe pushtetin për përfitime personale.
Duke qenë deputet i parlamentit, Peevski përdori zyrtarin e lartë të Byrosë Kombëtare për Kontrollin e Pajisjeve të Mbjedhjes së të Dhënave të Zbulimit, Ilko Dimitrov Zhelyazkov, si ndërmjetës dhe bashkëpunëtor për të shitur ndikimin dhe paguar ryshfete për të mbrojtur veten nga syri publik dhe për të ushtruar ndikim mbi insitucionet dhe sektorët kryesorë të Bullgarisë, thuhet në njoftimin e Departamentit të Shtetit. Departamenti i Shtetit ka përcaktuar publikisht edhe pjestarët e afërt të familjeve të këtyre individëve.
Nga ana tjetër, Departamenti i Thesarit thotë se njoftimi i sotëm tregon veprimin e shkallës më të lartë të ndërmarrë ndonjëherë brenda një dite për të mbajtur përgjegjës ata që janë të përfshirë në korrupsion.
Përcaktimi i sotëm ekspozon individët Bojkov, Peevski dhe Zhelyazkov për abuzimin e instuticioneve publike për përfitime personale dhe u ndërpret qasjen atyre dhe kompanive që zotërojnë tek sistemi financiar amerikan. Departamenti i Thesarit u bën thirrje të gjitha qeverive që të zbatojnë masat e duhura efikase kundër pastrimit të parave dhe korrupsionit në përpjekje për të mbrojtur sistemin financiar ndërkombëtar.
VASSIL KROUMOV BOJKOV DHE RRJETI I TIJ
Biznesmeni dhe oligarku bullgar Vassil Kroumov Bojkov (Bojkov), u ka dhënë ryshfet zytarëve të qeverisë në disa raste. Ai gjithashtu planifikoi në fillim të vitit që të siguronte para për një ish-zyrtar dhe një politikan në këmbim të ndihmës që Bojkov të krijonte një lidhje me udhëheqësit politikë rusë për të ndikuar tek zyrtarët e qeverisë bullgare.
Aktualisht Bojkov ndodhet në Dubai të Emirateve të Bashkuara Arabe pasi i shpëtoi me sukses ekstradimit në Bullgari nën akuza të shumta për korrupsion dhe krim të organizuar.
Prokuria bullgare zbuloi se në shkurtin e vitit 2018 Bojkov i dha mbi 6,000 dollarë në ditë kryetarit të atëhershëm të agjencisë për lojrat e fatit, që ai t’u hiqte liçensat konkurrentëve të tij. Pas daljes në skenë të kësaj skeme masive ryshfetesh, agjencia e lojrave të fatit u shpërbë dhe kryetari i saj u burgos. 58 subjekte të lidhura me të janë vënë në listën e zezë.
DELYAN SLAVCHEV PEEVSKI DHE RRJETI I TIJ
Delyan Slavchev Peevski (Peevski) është një oligark i cili më parë ka shërbyer si deputet dhe manjat i medias, i cili është përfshirë rregullisht në korrupsion. Në shtator të vitit 2019, ai punoi në mënyrë aktive për të ndikuar negativisht tek procesi politik në zgjedhjet lokale të 27 tetorit të vitit 2019. Për të menjanuar hetimet penale ndaj tij, ai u ofroi politikanëve mbulim pozitiv mediatik.
SANKSIONET
Të gjitha pronat dhe interesat e lidhura me pronat e individëve të lartpërmendur që janë në Shtetet e Bashkuara ose në zotërim apo kontroll të shtetasve amerikan, janë të bllokuara dhe duhet të raportohen, thuhet në njoftimin e Departamentit të Thesarit./VOA/