Një valë ankthi ka mbërthyer, pse po flitet për lu*të në Europë?
Një valë ankthi ka mbërthyer ministrat europianë të mbrojtjes dhe forcat e armatosura pasi politikanët dhe udhëheqësit ushtarakë besojnë se Donald Trump, skeptik i NATO-s, mund të zgjidhet si Presidenti i ardhshëm i SHBA-së dhe se Rusia nuk mund të detyrohet të largohet apo të mposhtet në Ukrainë. Kjo gjë ka nxitur paralajmërime në rritje se Europa mund të përfshihet në një luftë me Rusinë edhe pse aktualisht Moska është e përqendruar në Ukrainë. Në të njëjtën kohë, tensionet në Lindjen e Mesme kanë vijuar që të rriten. Sulmi i Izraelit në Gaza vazhdon, armiqësitë me Hezbollahun, grupin që mbështetet nga Irani në Liban po rritet dhe SHBA-ja e Mbretëria e Bashkuar sulmuan zonat e kontrolluara nga grupi Huthi në Jemen për të ndaluar grabitjet e anijeve në Detin e Kuq.
Çfarë po thonë politikanët dhe gjeneralët?
Admirali Rob Bauer, kreu i komitetit ushtarak të NATO-s, tha javën e kaluar se “nuk duhet marrë e mirëqenë që jemi në paqe”. Ai shtoi më tej se NATO po përgatitet për një konflikt me Rusinë dhe grupet terroriste nëse është e nevojshme. Së shpejti aleanca më e madhe ushtarake do të nisë stërvitjen më të madhe në dekada, ku do të përfshihen 90 mijë trupa.
Sekretari i Mbrojtjes në Britani, Grant Shapps, përdori një gjuhë edhe më të ashpër, duke argumentuar se paqja pas Luftës së Ftohtë ka mbaruar dhe se Mbretëria e Bashkuar dhe aleatët e saj po “lëvizin nga një botë post-lufte në një botë para-lufte”. Sipas tij është koha për riarmatim për të mbrojtur Europën nga “tërbimi i Putinit”.
Nga ana tjetër, Boris Pistorius, ministri gjerman i Mbrojtjes, dha javën e kaluar një intervistë. Ai sugjeronte se teksa për momentin nuk duket i mundshëm një sulm rus, ekspertët presin që kjo mund të jetë e mundur për një periudhë pesë ose tetë vitet në vijim. Norvegjia dhe Suedia kanë bërë të njëjtat paralajmërime muajin e kaluar.
Thjeshtë një frikësim nga ushtarakët që duan më shumë para?
Planifikimi për luftë, një emergjencë e largët… Në fakt kjo është ajo që bëjnë ushtritë dhe gjithmonë ka presion nga gjeneralët dhe ministritë e mbrojtjes për të shpenzuar më shumë. Por duhet kuptuar se lufta në Ukrainë, e cila muajin e ardhshëm bën dy vjet që ka nisur, po shteron rezervat e municioneve në Perëndim.
Ndërkohë duket gjithmonë e më e mundshme që Kongresi i SHBA-së të mos votojë për një paketë të re ndihme ushtarake prej 61 miliardë Dollarësh për Ukrainën, teksa republikanët rrisin presionin për një marrëveshje “diçka për diçka” (quid-pro-quo) për të rritur sigurinë në kufirin jugor të SHBA-së.
Armët e dhëna deri më tani Ukrainës nga Perëndimi, ku përfshihen edhe tanket gjermane Leopard 2, ato britanike, Challenger, 2, automjetet luftarake amerikane Bradley, raketat me rreze të gjatë veprimi, municionet apo predha artilerie, kanë dështuar që të bëjnë një goditje në frontin rus. Në të ardhmen nëse ndihma amerikane do të ndalojë si pasojë e bllokimit në Kongres, ajo që do të duhet të luftojë për të plotësuar hendekun është Europa.
Ekspertët kanë frikë se pa SHBA-në, Rusia mund ta kthejë gradualisht situatën. Në të njëjtën kohë, Donald Trump duket se do të triumfojë mes kandidatëve republikanë pas fitoreve në Iowa dhe New Hampshire. Ndërkohë në Europë mbeten kujtimet e presidencës së tij, mes pyetjeve rreth afërsisë së marrëdhënies së tij me Putin dhe kërcënimit të tij në samitin e NATO-s në vitin 2018 se SHBA mund të “dalë vetëm” dhe të largohet nëse vendet e tjera nuk shtojnë shpenzimet e tyre ushtarake.
Çfarë do të thotë kjo për NATO-n?
Udhëheqësi i Partisë Popullore Europiane në Parlamentin Europian, Manfred Weber, përdori një intervistë në Politico të enjten për të promovuar idenë se BE-ja duhet të marrë përsipër nga NATO-ja mbrojtjen e kontinentit, duke propozuar “një shtyllë europiane të mbrojtjes”. Sipas tij, kjo shtyllë duhet të përfshijë një “ombrellë bërthamore” e siguruar nga Franca, i vetmi shtet i armatosur bërthamor në BE.
“Kur e shikoj këtë vit si një politikan europian, gjëja e parë që më shkon në mendje është Trump”, tha ai. Mes politikanëve në BE po flitet për nevojën e krijimit të një komisioneri të mbrojtjes së BE-së, por realiteti është se ky manovrim nuk ka gjasa të zëvendësojë NATO-n, ku ka anëtarë të tjerë me ushtri më të mëdha si Turqia, SHBA-ja dhe Britania e Madhe. Anëtarët e NATO-s ka më shumë mundësi të përpiqen të qetësohen dhe të durojnë një presidencë të Trump siç bënë në vitin 2016.
A mund të ketë vërtet një luftë më të gjerë me Rusinë?
Gjenerali Sir Patrick Sanders, kreu i ushtrisë britanike, sugjeroi se ushtria profesionale e Mbretërisë së Bashkuar është shumë e vogël për t’u përballur gjatë në një luftë gjithëpërfshirëse me Rusinë dhe se do të duhet një “ushtri e qytetarëve” për ta fituar një të tillë duke lënë të kuptohet për një rikthim rekrutimi në rast të një emergjence të plotë. Megjithatë ky skenar u hodh poshtë nga Dowining Stres si një rast hipotetik “jo i dobishëm”. Vendet e tjera europiane si Letonia dhe Suedia kanë ringjallur të gjitha format e shërbimit ushtarak ndërsa Pistorius tha në Dhjetor se “ai po shikonte të gjitha opsionet”.
Por nuk është aspak e qartë nëse Rusia, sado agresive do Putini që të jetë, mund të ketë kapacitetin të sulmojnë vendet anëtare të NATO-s. Përllogaritet nga inteligjenca perëndimore që rreth 315 mijë Rusë janë vrarë ose plagosur në Ukrainë dhe forcat e Moskës kanë dështuar vazhdimisht që të thyejnë fqinjin që është më i vogël se ta. Ankthi për mbështetjen e SHBA-së mund të jetë real, por kërcënimi rus nuk duket edhe aq i fortë.