“Nuk mendoj më vetëm për paqen”, Trump rrit presionin dhe trazon çështjen e Groenlandës
Presidenti amerikan Donald Trump ka ashpërsuar ndjeshëm retorikën lidhur me marrjen e kontrollit të Groenlandës, duke deklaruar se nuk ndihet më i detyruar të mendojë vetëm për paqen, por për interesat strategjike të Shteteve të Bashkuara. Ndërkohë, udhëheqësit evropianë po koordinojnë qëndrimet e tyre përballë presionit në rritje nga Uashingtoni.
Gjatë natës, Trump shkroi në rrjetet sociale se NATO dhe Danimarka kanë dështuar për më shumë se 20 vjet të largojnë, sipas tij, “kërcënimin rus” nga Groenlanda, duke theksuar se tani “është koha që kjo të bëhet”. Ai akuzoi drejtpërdrejt Danimarkën për paaftësi në garantimin e sigurisë së territorit arktik.
Në të njëjtën linjë, sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, deklaroi për NBC se “evropianët projektojnë dobësi, ndërsa SHBA-të projektojnë forcë”, duke shtuar se, sipas Trumpit, siguria globale nuk mund të garantohet pa përfshirjen e Groenlandës në orbitën amerikane.
Trump e ka lidhur gjithashtu çështjen e Groenlandës me vazhdimin e mbështetjes amerikane për Ukrainën, duke paralajmëruar se pa ombrellën e sigurisë së SHBA-së, situata në vend do të shembej.
Debati pritet të dominojë axhendën politike evropiane, ndërsa liderët e Bashkimit Evropian përgatiten për një samit të jashtëzakonshëm. Paralelisht, ministrat danezë dhe të Groenlandës do të takohen me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, i cili ka konfirmuar se çështja e sigurisë në Arktik mbetet e hapur.
Tensionet u përshkallëzuan edhe më tej pas një letre të dërguar nga Trump kryeministrit norvegjez Jonas Gahr Støre, ku presidenti amerikan shprehet se nuk ndihet më i detyruar të mendojë vetëm për paqen. Deklaratat e fundit pritet të thellojnë përplasjet diplomatike mes SHBA-së dhe aleatëve evropianë, ndërsa Groenlanda shndërrohet në një pikë kyçe të rivalitetit gjeopolitik në Arktik.
KOHA JONË SONDAZH

