”Nuk u mbrojmë nga Rusia nëse…”! Shtëpia e Bardhë distancohet nga deklarata e Trump për aleatët e NATO-s

Shtëpia e Bardhë i ka hedhur poshtë komentet e bëra prej ish-presidentit amerikan, Donald Trump për mosmbrojtje të aleatëve të NATO-s nga një pushtim potencial nga ana e Rusisë, dhe i përshkruar ato si “të tmerrshme dhe të pavarura”. Trump, duke e rikujtuar një takim me liderë të NATO-s, gjatë një marshi politik në Karolinën e Jugut, e ka cituar presidentin e një “shteti të madh”, që nuk ia ka përmendur emrin, duke e pyetur atë, “Zotëri, nëse ne nuk paguajmë, dhe sulmohemi nga Rusia, a do të na mbroni?”

“I kam thënë: ‘Nuk keni paguar? Jeni delikuent?’ Ai ka thënë: ‘Po, kështu ka ndodhur’. Jo, nuk do t’ju mbroj juve. Në fakt do t’i inkurajoja ata të bëjnë çfarë të duan. Duhet të paguani”. Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Andrew Bates, i pyetur për komentet e Trumpit, ka thënë se “inkurajimi i pushtimit të aleatëve tanë të ngushtë nga regjimet vrasëse, janë të tmerrshme dhe të pavarura – e rrezikojnë sigurinë kombëtare amerikane, stabilitetin global dhe ekonominë në shtëpinë tonë”.

Traktati i NATO-s e ka një pikë që garanton mbrojtje të përbashkët për një vend anëtar, në rast se sulmohet. Trump, i cili është në krye të garës për të fituar nominimin e republikanëve në garën për president, ka qenë kritik i ashpër i NATO-s, sa ka qenë president, dhe ka kërcënuar vazhdimisht me largim të SHBA-së prej aleancës. Ai i ka zvogëluar fondet e SHBA-së për NATO-n, dhe shpesh është ankuar pse vendi i tij është duke paguar më shumë.

Bates ka thënë se presidenti amerikan, Joe Biden, demokrat, që synon edhe një mandat në zgjedhjet e nëntorit, i ka rregulluar aleancat e SHBA-së, pasi e ka marrë pushtetin më 2021, duke u siguruar që NATO-ja të jetë “më e madhe dhe më e gjallë, sesa kurrë më parë”.

“Në vend të thirrjeve për luftëra dhe për promovim të kaosit, presidenti Biden do të vazhdojë të forcojë udhëheqësinë amerikane dhe të jetë aty për interesat e sigurisë kombëtare – jo kundër tyre”, ka thënë ai përmes një deklarate.

Ndonëse në disa sondazhe Trump ka përparësi ndaj Bidenit, aleatët evropianë shqetësohen se një fitore e Trumpit në nëntor, mund të dëmtojë përkushtimin amerikan ndaj aleancës, ani pse Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë muajin e kaluar se nuk mendon asnjëherë që presidenca e Trupit mund të rrezikojë anëtarësimin e SHBA-së.

Stoltenberg, i cili i ka shtyrë vendet anëtare të ndajnë më shumë fonde për mbrojtje, ka thënë se aleatët evropianë janë duke i rritur kontributet ushtarake dhe po lëvizin në drejtim të duhur. Trump, në anën tjetër, ka vazhduar të kritikojë aleancën, duke thënë në një marsh me mbështetës, muajin e kaluar, se nuk beson që vendet e NATO-s do ta mbështesnin SHBA-në, nëse do të sulmohej.

Sa i përket luftës së Rusisë në Ukrainë, Trump ka bërë thirrje për shtensionim dhe është ankuar për miliardat e shpenzuara deri më tani. Prej nisjes së luftës, në shkurt të vitit 2022, SHBA-ja ka ndarë rreth 75 miliardë dollarë për Ukrainën, ka thënë Stoltenberg, derisa vendet tjera të NATO-s, dhe vendet partere, kanë ndarë mbi 100 miliardë dollarë, së bashku.

SHKARKO APP