Numri i të infektuarve rrit frikën tek qytetarët, rrezik për rikthimin e izolimit për përballimin e një vale të dytë
Frika nga goditja e një vale të dytë të koronavirusit ka bërë që disa supermarkete në Pekin të mbyllen.
Në anën tjetër në Indi, e cila hoqi kufizimet e lëvizjes gjatë kësaj jave, shënoi një numër rekord të rasteve të reja me COVID-19.
Ditën e djeshme, në Kinë u regjistruan dy raste të reja me COVID-19, e cila detyroi autoritetet për të mbyllur 6 supermarkete ku kanë qenë së fundmi të infektuarit.
Ndërkohë India ka hapur pjesën më të madhe të transportit publik, zyrave dhe të qendrave tregtare por zyrtarët thonë se janë shumë larg uljes së kurbës së infeksionit.
Numri total i viktimave në Indi është 8,498 ndërsa numri i të infektuarve është 10,956.
Në Europë, komisionerja e shëndetësisë e BE-së, Stella Kyriakides deklaroi se të gjitha shtetet duhet të jenë gati të rikthehen në situatën e izolimit nëse do të jetë e nevojshme.
Ajo u bën thirrje shteteve për të testuar sa më shumë persona në mënyrë që të kenë nën kontroll situatën.
Edhe në ShBA situata shfaqet shqetësuese pasi shumë shtete pohojnë se spitalet po mbushen me pacientë nga dita në ditë.
Disa ekspertë kanë shprehur shqetësimin e tyre mbi disa prej shteteve në Amerikë të cilat janë prekur më shumë ekonomikisht nga virusi. Ata thonë se protestat masive që kanë përfshirë të gjitha shtetet mund të përkeqësojnë situatën me infeksionin.